Pesë “origjina” për kabinetin “Rama 2”
Nga Ferdinand Xhaferaj
Dramaturgu dhe fituesi i çmimit “Nobel” në letërsi George Bernard Shaw është shprehur se: “Demokracia është një mekanizëm që siguron se do të qeverisemi jo më mirë se e meritojmë.”

Edhe qeveria që pritet të marri formë në orët në vijim do të dalë mbas një fushate ku nuk kishte debat për programin për arsyen e thjeshtë se program nuk pati. Po të bëjmë bashkë çfarë na thotë dramaturgu me çfarë pamë në fushatë, gjasat janë se qeveria që pritet të lindë të jetë më e keqe se e meritojmë.

Sidoqoftë, këtë të diel të fund gushtit, kur të gjithë po pushojnë, Rama ka thënë se do të shpallë emrat e atyre, me të cilët mendon të punojë. Deri më tani nuk kemi dëgjuar asgjë për kriteret e përzgjedhjes. Në këto kushte mund të gjykojmë vetëm se kush mund të jenë faktorët që mund të influencojnë Ramën drejt përzgjedhjeve të caktuara.

Përqasjet akademike që ndriçojnë vendimmarrjen e liderit për emërimet na thonë se vendimmarrja formësohet kryesisht nga pesë arsye të mundshme të cilat janë:

1.Kooptimi, i cili lidhet kryesisht me përfshirjen e kundërshtarëve kryesorë si e vetmja mundësi për t’i neutralizuar ata. Studiuesit e etiketojnë kooptimin si metodë pajtuese. Një eksperiment të shkurtër, por shumë domethënës të kooptimit e përcollëm me përfshirjen e Bashës në qeveri para zgjedhjeve. Duket se kooptimi punoi shumë mirë për Ramën. Ai jo vetëm e neutralizoi, por edhe e paralizoi opozitën. Lideri i opozitës duhet të mbajë në konsideratë se kooptimi konsiderohet si një metodë makiavelistë, perverse që vret shpresat e opozitës për t’u kthyer në shumicë. Por, për të tashmen si Basha dhe LSI-ja paraqiten si kundërshtarë të përmasave, të cilët Rama nuk synon t’i neutralizojë me një kooptim me kosto portofolash qeveritarë. Ndoshta Rama do t’i kthehet kooptimit mbas dy vitesh, në prag të zgjedhjeve lokale, kur edhe qeveria që pritet të shpallet sot mund të ketë krijuar një hipotekë negative.

2.Një kriter i fortë që mund të mbahet në konsideratë nga Rama është edhe shpërblimi i drejtuesve të fushatës në qarqe.

Ata konsiderohen edhe si njerëzit e besuar të Ramës dhe përfshirja e drejtuesve të suksesshëm do të jetë një veprim i natyrshëm jo vetëm për të vlerësuar ata që kontribuuan më shumë, por edhe për të shmangur mundësinë e kthimit të tyre në kundërshtarë si pasojë e mungesës të vlerësimit. Kjo mënyrë përzgjedhjeje mund të çojë drejt kabinetit qeveritar drejtuesit e fushatës së qarqeve, që kanë prodhuar rezultatin më të mirë për Partinë Socialiste.

3.Ndikim të fortë te kreu i qeverisë për përzgjedhjen mund të kenë edhe aleancat apo influencat. Pra, mund të shohim emra në qeveri edhe si pasojë e influencave te Rama nga individë të fuqishëm të komunitetit të medias dhe biznesit. Media online ka pasqyruar këto ditë për eksponentë të rilindjes që shikohen të mos rrinë pranë kryeministrit, por t’i ngjiten atyre që e ndikojnë kryeministrin.

4.Nëse kreu i “Rilindjes” është serioz në deklarimin e tij për të bërë shtetin, ne do të shohim në qeveri individë që demonstrojnë se Rama ka gjurmuar të përfshijë trurin e profesionistëve apo të të shkolluarve në universitetet më të mira në perëndim.

Me këtë lëvizje Rama do përpiqet t’i dëshmojë edhe qytetarëve edhe ndërkombëtarëve se ai synon t’i japë zgjidhje problematikave komplekse të konsolidimit të institucioneve.

5.Së fundmi, Rama është i interesuar për imazhin e qeverisë së tij dhe mund të investohet për të përfshirë në qeveri individë që do të japim nga imazhi i tyre i krijuar ndër vite për llogari të imazhit të qeverisë të sapokrijuar.

Kriteri i katërt dhe i pestë mund të çojnë drejt qeverisë emra që deri më tani kanë qenë jashtë radarëve të medias.

Duke e mbyllur mund të themi se mandati i parë i qeverisjes së Ramës i prodhoi të gjitha duke nisur që nga kriminalizimi e duke përfunduar te kanabizimi. Por, Rama ia doli të fitonte edhe më thellë se katër vite më parë.

Dhe këtu na vjen përsëri në mendje dramaturgu i famshëm kur thoshte se demokracia është një sistem në të cilin shumica jo shumë e aftë zgjedh jo pak herë të korruptuar.

Gjithsesi, pa pasur tendencë për të paragjykuar mandatin e dytë të Ramës, me kriteret që do të zgjedhë për të respektuar dhe me emrat e prezantuar mund të gjykohet nëse kreu i rilindjes ka dashur të bëjë një qeveri, në të cilën debaton dhe prodhon, apo ka kompozuar një qeveri në të cilën nuk debaton, por vetëm kontrollon dhe abuzon. /albeu.com/
Shtuar më 27/08/2017, ora 12:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori