Përfundoi takimin me Thaçin, ambasadori britanik shkon në zyrë të Kurtit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Sic njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë takim u diskutua për pandeminë COVID-19, dhe veprimet dhe masat që institucionet qeverisëse të Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë, me qëllim parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie.

“Kryeministri në detyrë, Kurti e njoftoi Ambasadorin Abbott mbi mbarëvajtjen e vendimeve të deritanishme dhe për vendimet e reja që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë. Ai rikujtoi se për të dhe Qeverinë në detyrë ruajtja e shëndetit publik mbetet prioriteti me i lartë, derisa vëmendje dhe kujdes i veçantë po i jepet edhe shëndetit të ekonomisë”, thuhet në komunikatën e ZKM’së.

Sic thuhet në këtë njoftim “Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Abbott, vlerësoi punën e Qeverisë dhe institucioneve tjera përgjegjëse për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19 dhe përsëriti përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar”.

Ndryshe, Abbott sot, bashkë me ambasadorët e tjerë të Quint’it, është takuar me Presidentin Hashim Thaçi.


Shtuar 15.04.2020 16:32