Personeli akademik, zbardhet drafti për rritjen e pagave dhe orët shtesë në bazë të titujve
Qeveria ka gati projektvendimin “Për statusin dhe trajtimin e veçantë të personelit akademik”. Në këtë vendim përfshihet edhe rritja e pagesës për personelin akademik, rritje e cila do të fillojë nga 1 marsi 2017.

Veç këtij projektvendimi, i cili pritet të miratohet në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, edhe Ministria e Arsimit ka gati udhëzimin “Për veprimtarinë dhe ngarkesën mësimore të personelit akademik”, ku detajohet ngarkesa mësimore vjetore si dhe ora mësimore në auditor, e cila do të jetë 50 minuta, nga 60 minuta që është aktualisht. Veç të tjerash, në këtë udhëzim përcaktohet se numri minimal i studentëve në një program studimi në universitetet publike nuk mund të jetë më i vogël se 10.

STATUSI & PAGAT

Pika e parë e projektvendimit është statusi i personelit akademik, ku garantohet liria akademike në këto drejtime të veprimtarisë së tij: Mësimdhënie; Punë kërkimore-shkencore; Kontribut institucional; Kontribut profesional. Personeli akademik nuk mund të penalizohet për shkak të qëndrimeve të tij ndryshe ndaj politikave të institucionit. Personeli akademik e humbet statusin kur kontrata përfundon/zgjidhet.

Anëtarët e personelit akademik të kategorisë “Profesor” dhe “Lektorë” punësohen në IAL nëpërmjet kontratës me kohëzgjatje të pacaktuar. Anëtarët e personelit akademik të kategorisë “Asistentë-lektorë” punësohen në universitet nëpërmjet kontratës me kohëzgjatje të caktuar. Të tria këto kategori mund të punësohen me kohë të plotë apo me kohë të pjesshme.

Po ashtu, në projektvendim përcaktohet se: “Kategoritë ‘Profesor’ dhe ‘Lektor’ të angazhuar me kohë të pjesshme nga autoritetet drejtuese të njësive kryesore, sipas nevojave të njësive bazë, pranë IAL-ve, nuk llogariten në numrin minimal të personelit akademik me tituj akademikë dhe grada shkencore, që duhet të ketë departamenti.”

Sipas projektvendimit që disponon “Gazeta Shqiptare”, paga minimale mujore bruto e garantuar për personelin akademik sipas kategorive përkatëse është: 130.000 lekë për personelin me titull “Profesor”; “Profesor i Asociuar”, paga minimale mujore është 115.000 lekë; ndërsa për “Lektor” është 100.000 lekë. Normalisht, personeli akademik që ushtron funksione administrimi, përfiton shtesë mbi pagën. Efektet financiare të përcaktuara në këtë vendim fillojnë nga data 01.03.2017.

Sa i përket lejes vjetore, ajo është jo më pak se 40 ditë pune (56 ditë kalendarike). Në rast se kjo leje nuk konsumohet nga personeli akademik, jepet shpërblimi përkatës në të holla. Personeli akademik mund të kryejë detyra të larta në administratën publike, vendase apo të huaj, për jo më shumë se 5 vjet, pa ndërprerje, duke ruajtur përputhshmërinë me statusin e tij. Pas kësaj periudhe, anëtari i personelit akademik, me kërkesën e tij, rikthehet në vendin e mëparshëm të punës ose në një vend të barasvlershëm.

NGARKESA MËSIMORE
“GSH” disponon udhëzimin e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, ku përcaktohet ngarkesa e re mësimore për personelin akademik si dhe pagesat për orët mbi normë. Koha normale e punës së personelit akademik nuk mund të jetë më shumë se 1536 orë në vit.

Detajimin e tyre e keni në tabelat bashkëngjitur shkrimit. Sa u përket autoriteteve drejtuese të universiteteve publike, edhe ata kanë një ngarkesë të përcaktuar vjetore në mësimdhënie; rektori ka 30 orë vjetore, ndërsa dekani 60 orë. Në pikën 4 të udhëzimit të MAS-it përcaktohet norma për personelin akademik: ai me kohë të plotë, me orientim mësimor, duhet të ketë jo më shumë se 350 orë mësimore; personeli me kohë të plotë, me orientim kërkimor- shkencor, 120 orë mësimdhënie; personeli akademik me kohë të pjesshme, jo më shumë se 140 orë mësimore. Sipas këtij udhëzimi, pedagogëve të universiteteve jopublike nuk duhet t’u tejkalohet kjo normë e përcaktuar për universitetet publike.

PERSONELI AKADEMIK, PAGAT DHE NGARKESA MËSIMORE
1. Paga minimale mujore bruto e garantuar për personelin akademik sipas kategorive përkatëse është:
a) “Profesor” 130,000 lekë;
b) “Profesor i Asociuar” 115,000 lekë;
c) “Lektor” 100,000 lekë;
2. Personeli akademik që ushtron funksione administrimi, përfiton shtesë mbi pagën e përcaktuar sipas kategorive të parashikuar nga pika 1 e këtij neni dhe rregullimeve të akteve të brendshme të institucionit. Efektet financiare të për caktuara në këtë vendim fillojnë nga data 01.03.2017.

NGARKESA E PLOTË MËSIMORE VJETORE PËR PERSONELIN AKADEMIK
a) për personelin akademik me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar, me kohë të plotë, me orientim mësimor, 350 orë mësimdhënie, nga të cilat 140 orë mësimore në auditor dhe 210 orë veprimtari jashtë auditorit në ndihmë të procesit mësimor;
b) për personelin akademik me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar, me kohë të plotë, me orientim kërkimor – shkencor, 120 orë mësimdhënie nga të cilat 50 orë mësimore në auditor dhe 70 orë veprimtari jashtë auditorit në ndihmë të procesit mësimor;
c) për personelin akademik me kohë të pjesshme, me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar ose me kontratë me kohëzgjatje të caktuar, jo më shumë se 140 orë mësimore nga të cilat 40 orë mësimore në funksion te kontrollit final te dijes. Kjo kategori mund të ketë vetëm orientim mësimor.

Për autoritetet drejtuese të IAL publike, mësimdhënia vjetore është:
a) Rektor 30 orë mësimore;
b) Zëvendësrektor 45 orë mësimore;
c) Dekan 60 orë mësimore;
d) Zëvendësdekan 75 orë mësimore;
e ) Përgjegjës Departamenti 90 orë mësimore.

Shpërblimi minimal i orëve suplementare për personelin akademik me kohëzgjatje të pacaktuar ashtu si edhe ai i personelit akademik me kohë të pjesshme vendoset:
a) “Asistent-lektorë” 1,500 lekë/orë;
b) “Lektorë/Doktor i Shkencave” 2,500 lekë/orë;
c) “Profesor i Asociuar” 3,000 lekë/orë;
d) “Profesor” 4,000 lekë/orë Ngarkesa e plotë mësimore vjetore e një anëtari të personelit akademik me orientim mësimor nuk mund të përmbajë në një vit akademik më shumë se 3 lëndë semestrale ose 1 lëndë vjetore dhe 1 semestrale ose 2 lëndë vjetore.
Shtuar më 23/02/2017, ora 10:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori