Pershendetet miratimi i rezolutes per Kosoves nga OKI
Albeu.com
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skender Hyseni ka përshëndetur miratimin e rezolutës për Kosovën në sesionin e 37-të të Organizatës së Konferencës Islamike, në Dushanbe të Taxhikistanit.
Ministri Hyseni me këtë rast falënderoi të gjitha vendet anëtare të OKI për votën unanime për rezolutën. Në veçanti, Hyseni me këtë rast falënderoi diplomacinë shqiptare dhe përgjithësisht institucionet e Republikës së Shqipërisë për përkrahjen që po i japin Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Kalimi i kësaj rezolute është edhe një pranim dhe konfirmim i kontributit vital dhe të pazëvendësueshëm që pavarësia e Kosovës ka për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Gjatë qëndrimit të tij në New York, shefi i diplomacisë kosovare ka vazhduar takimet me një numër përfaqësuesish të përhershëm pranë OKB-së. Hyseni ka pasur një bisedë të gjatë dhe përmbajtësore me përfaqësuesin e përhershëm të Tanzanisë në OKB, Augustine P. Mahiga, me të cilin ka biseduar për njohjen e shtetit tonë nga ky vend afrikan, si dhe për shumë procese të rëndësishme në dhe rreth Kosovës, siç është rasti me mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke ripërsëritur kërkesën e tij për njohje nga Tanzania.
Hyseni është takuar edhe me përfaqësuesin e përhershëm të Republikës së Turqisë në OKB, ambasadorin Ertuğrul Apakan. Në takim është folur për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe rreth Kosovës, si dhe për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.
Në këtë takim, Ministri Hyseni dhe Ambasadori Apakan folën dhe u pajtuan për nevojën e vazhdimit të përkrahjes reciproke në fusha dhe procese të rëndësishme.
Shtuar më 20/05/2010, ora 21:57
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori