Përse u quajt "Tajvan" vendi ku lindnin dashuritë e të rinjve në komunizëm (FOTO LAJM)

Pëlqej
Edhe sot, njerëzit takohen po aty. Është pika më e lehtë për t’u arritur dhe më e njohura, jo vetëm për tiranasit, por edhe për ata që vijnë nga rrethet.

Rinia”, por dhe “Tajvani”, këta kanë qenë dy emrat që e kanë shoqëruar parkun më të madh në qendër të kryeqytetit.

I pari i hershëm, pasi ishte rinia ajo që e ndërtoi, ndërsa i dyti jo zyrtar, por i vënë pas viteve ’70 nga kryeqytetasit, ndonëse pa asnjë lidhje me ishullin e largët. Historia e atij kompleksi nis nga nata kur me aksion vullnetar u mbollën pemë, pastaj ndërtimi i lokalit dhe liqenit, një bashkëjetesë pa iu ndarë asnjë çast njëri-tjetrit.

Frekuentimi, këngët, vallëzimet me të huaj, shëtitjet më varka historitë e dashurive me turistet e vendeve lindore dhe më kuriozja, pse u quajt “Tajvan”?. Si e rrëfen për “Panorama”, Sotir Qirjaqi, që fëmijërinë e kaloi pranë atij Parku të Tiranës.

IDEJA PËR NJË PARK POPULLOR
Pas viteve ’45, në zonën e Shallvareve, e njohur më shumë me fushën e futbollit, bashkë me fillimin e ndërtimit të bllokut të pallateve u hodh ideja për ndërtimin e një parku të madh. Në vitin 1949, studentë e pedagogë të Institutit të Lartë Bujqësor, brenda 48 orëve, me aksion vullnetar mbollën shumë pemë.

Në formë drejtkëndëshi 240m x 170m, nga veriu kishte kopshtin e fëmijëve “Nikolica”, ministrinë dhe pak më tutje, kinema “Brigadën”, e njohur për shfaqjen e filmave rusë dhe gjyqin e Teme Sejkos; nga lindja kishte paralel bulevardin dhe “Hotel Dajtin”, nga perëndimi Bllokun e Shallvareve dhe Lanën në jug. Ky kompleks modern për kohën dhe për kryeqytetin ishte një dëshmi se po ndërtohej Shqipëria e “Re”.

EMRI “RINIA”, AJO E NDËRTOI
Parku kishte gjelbërim të jashtëzakonshëm dhe kryesisht në pranverë-vjeshtë shpërthente nga gjallëria. Gështenjat e egra lartoheshin anës rrugicave të pastra. Gjatë gjithë kohës kishte freski, çka e bënte të frekuentuar përgjatë gjithë ditës, deri në orët e vona të natës.

Por, edhe kur dimri ishte i trishtuar, me kohë të keqe, acar, mjegull, nuk mungonin të gjitha llojet e zogjve, ndërsa gjethet binin. Rrethuar me pemë, lule, gjithçka e bënte të këndshëm, qetësues, qëndrimin apo kalimin aty. Parku, të cilit i vunë emrin “Rinia”, se ishte ajo që e ndërtoi, rrethohej nga bordurë guri 50 cm e lartë.


Për shumë vite, në bordurat e tij janë ulur qytetarët e Tiranës, studentë, dhe në periudhën e pranverës dhe verës ka shërbyer si paradë mode.

Bordurat krahë bulevardit ishin më të frekuentuarat nga adhuruesit e xhiros, që qëndronin aty në grupe, deri në mbrëmje. Ato përballë Shallvareve mbusheshin më shumë me familjarë, ndërsa më pak të preferuara ishin bordurat veri-jug.

Brenda parkut nuk kishte asnjë statujë, ndonëse në këndin verilindor qëndronte Stalini e përballë tij Lenini, shumë pranë një blloku me varre në mermer të zi të disa personaliteteve N. Spiru, A. Kondi, V. Shanto, Q. Stafa, G. Nushi, deri kur u hoqën.

KOMPLEKS ARGËTUES, VENDI I TË DASHURUARVE
Nisur nga struktura, ai mjedis ka shërbyer si një kompleks argëtues për të gjitha moshat. Është shfrytëzuar nga sportistët e grumbulluar që flinin në “Hotel Dajti”, shqiptarë e të huaj, futbollistë, atletë, boksierë, etj., që dilnin duke vrapuar në orët e para të mëngjesit përgjatë Lanës, pastaj në rrugicat e tij.

Parku “Rinia” njihej edhe si vendtakimi i të rinjve të dashuruar, por edhe i miqësive e “love story”-t të djemve kryeqytetas me turistet, kryesisht vajza gjermano-lindore, polake e ruse, të sistemuara në “Hotel Dajti” apo të marinarëve që vinin nga Durrësi dhe aviatorë të huaj, që e preferonin atë mjedis argëtues që ofronte parku e lokali.

Shumë letra dashurie hidheshin në lulet, afër pemëve që shkëmbeheshin nga të dashuruarit.


NDËRTESAT E PARKUT
Për të plotësuar kompleksin në hapësirën brenda tij, u ndërtua edhe një lulishte, një lokal apo pijetore, një ndërtesë njëkatëshe, jo me mjedise fjetjeje, por që frekuentohej deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa nga jugu një liqen apo pishinë, siç i kanë thënë.

Brenda parkut ishin edhe banjat publike meshkuj-femra, për të cilat kujdeseshin dy punonjës, një burrë e një grua. Shumë mund ta kujtojnë ende Sulltanen.

Gjysmë në nëntokë, ato kanë qenë ngjitur me lokalin, në anën perëndimore të tij. Të ndërtuara në vitin 1968, kanë funksionuar për një kohë të gjatë. Nga ana e Shallvareve, ishte një hapësirë që e ndante bordurën e që shërbente për qytetarët që me anë të disa shkallëve betoni të zbrisnin në park.

PIJETORE, VALLËZIM TANGO E MUZIKË PERËNDIMORE
Degë e “Dajtit”, për shumë vite, ka qenë edhe lokali i parkutRinia”.

Kur restoranti i “Dajtit” ishte plot me klientë të huaj, një pjesë e tyre dërgoheshin tek ai i parkutRinia”, që fillimisht ka qenë një pijetore klasike e mirëfilltë, me një sallë me 10-12 tavolina dhe me klientët e tij të preferuar. Lokal luksoz, ai kishte një kuzhinë universale, me kuzhinierë, kamerierë të trashëguar nga koha e Italisë, midis tyre P. Prillo, M. Kanini, Jani, Fatimja, Begzo, që shërbenin brenda e jashtë me peceta të vendosura në krah. Një banak me dru dhe në kënd një orkestër vendosur mbi një kube, në një gjysmë dhome me dru special, me shpinë nga liqeni.

Lokali rrethohej me një mur të ulët dhe kangjella druri të lyera me ngjyrë jeshile, që e ndante me kalimtarët, me hyrjen nga lindja, ndërsa ajo nga perëndimi shërbente për personelin.

Në mjedisin e jashtëm kishte një pistë vallëzimi rrethore verore, e vendosur midis lokalit dhe orkestrës, me disa tavolina kryesisht në periudhën e nxehtë.

Brenda tij kishte paradhoma pritjeje, ku në mjaft raste shfrytëzoheshin për takimet e punonjësve të Tregtisë së Jashtme, zyrtarëve të huaj me ato shqiptarë, etj. Më pas, pijetorja pësoi një ndryshim, duke u transformuar në restorant-bar-pastiçeri.

LIQENI, SHËTITJE ME VARKA
I projektuar në formën e një fasuleje, liqeni ka qenë pjesë e pandarë e lulishtes dhe pijetores, madje në vijë të drejtë veri-jug me të. Ai u ideua si pjesë lidhëse për të zbukuruar parkun, me ujë, por jo shatërvan, me bordurë guri, me një pelikan statujë të vogël brenda tij. Me bojë parashute, bazamenti ishte me gurë të rrafshuar dhe dy puseta, një stacion pompash, që shërbente për qarkullimin e ujit dhe shkarkimin e tij në Lanë. Liqeni ishte një vend argëtues për familjarët.

Në fillimet e tij shërbeu edhe për shëtitjet me varka druri për të notuar, pastaj pati një periudhë të gjatë braktisjeje, kur brenda tij luhej edhe futboll. Deri me restaurimin e plotë të Parkut, në vitin 1984, kur dhe liqeni u transformua në një shatërvan modern me ngjyra, baseni mbushej me ujë në mënyrë sporadike dhe u braktis.


EMRI NGA NJË PIKTOR KRYEQYTETAS
Mund të jenë të shumtë ata që pyesin se përse edhe sot ai vend njihet si “Tajvani”.

Nuk ka pasur një pagëzim zyrtar dhe as një arsye politike për vëllazërinë shqiptaro-tajvaneze.

Në vitet ’70, pjesa Lindore në Azinë e Largët është përfshirë nga konflikti Kinë-Tajvan dhe çdo ditë, radioja, shtypi shqiptar, gazetat “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, e shoqëronin situatën me komente rreth ngjarjes.

Të ndikuar nga kjo atmosferë, e ka zanafillën edhe emri që mori lokali.

Duke qenë se në dimër, nga shiu, ai rrethohej nga të katër anët me ujë, dhe për të hyrë brenda vendoseshin tulla që shërbenin si urë kalimi, duke të krijuar idenë e një ishulli të vogël, si dhe zhurma e madhe çfarë po ndodhte me Tajvanin e largët, ngacmuan fantazinë e një grupi frekuentuesish, kur njëri prej tyre, piktor mjaft i njohur në Tiranë, do të shprehej “si në Tajvan është bërë”.

E përdorur fillimisht në rrethe të ngushta miqësie, midis artistëve, intelektualëve se.. “takohemi, …e pimë kafen… apo të pres te Tajvani”, në vitet që pasuan, ky emër u bë më funksional.

Ndonëse me Tajvanin e largët nuk e lidh asgjë, jo i rrethuar me ujë, nëse e sheh nga lart, ky lokal realisht të ofron pamjen e një ishulli që i vetëm qëndron në atë mjedis plot gjelbërim.
tajvani-7

TAJVANEZË NË KËRKIM TË “ISHULLIT”
Emri “Tajvan” ka ngjallur një interesim të veçantë, sidomos për turistët që vijnë nga Azia e Largët, kryesisht ata tajvanezë, kur nga “Google”, pasi janë njohur me Tiranën, informohesh se në qendër të qytetit ndodhet një lokal me emrin “Tajvan”.

“Nisur nga ky fakt shumë kurioz për ta, veprimi i parë kur janë në kryeqytetit, me harta në dorë, kërkojnë të shkojnë te ky lokal, të njihen me historinë dhe prejardhjen e emrit. Sillen rreth e rrotull, por e kanë të vështirë ta gjejnë”, tregon një shoqërues i turistëve.

“Dhe kjo për një fakt shumë interesant, pasi emri Tajvan nuk figuron në asnjë vend të dukshëm të lokalit. Ka të tjera emra, vetëm Tajvan jo”, përfundon rrëfimin agjenti turistik.
Shtuar më 21/05/2018, ora 09:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori