Përse blindat e Xhafës nuk trembin askënd në Shkodër dhe Elbasan
Policia e Shtetit bëri një tregim force sot në Shkodër dhe Elbasan duke rreshtuar blindat në rrugët e qytetit, ndërsa kryheshin kontrolle në lagjet e zotëruara prej "të fortëve".

Po afrohet ora 17:00 dhe ende nuk ka një raport të këtyre kontrolleve nëse u kap ndonjë armë apo ndonjë i dyshuar për dhjetra krime që kanë ndodhur muajt e fundit në dy qytetet problematike.

Nga mënyra se si u zhvilluan gjërat, koha e ndërhyrjes si edhe fakti që nuk ka rezultate të shpallura tregon se kemi të bëjmë thjesht me një tregim force më shumë se sa me një aksion të mirë koordinuar që do t'i shpëtonte këto qytete nga kthetrat e grupeve kriminale.

I madh e i vogël e di se kush cilat familje bëjnë ligjin në Shkodër.

Po ashtu, nuk ka elbasanas që nuk di se kush është "bosi" në këtë qytet dhe mbrojtjen e kujt duhet të marrin nëse kërcënohen nga ndokush që ende nuk është i qartë për ndarjen e territoreve në qytet.

Kur çdo ditë këto qytete jetojnë me terrorin që ushtrohet nga familjet në fjalë, i cili është edhe tematika kryesore e muhabeteve të përditshme të tyre, është afermendsh të besosh që forcave të rendit iu nevojitet një aksion blic për të kapur në befasi keqbërësit apo më tej akoma, për të arrestuar problematikët.

Bosët e vërtetë të Shkodrës dhe Elbasanit shëtisin në mes të qytetit me makina të blinduara dhe vjelin gjoba e marrin tenderë hapur e askush nuk guxon t'u thotë "stop".

Fatmir Xhafaj nuk ka nevojë të bëjë spektakle të tillë me blinda dhe forca speciale duke treguar prezencë në rrugët e Shkodrës dhe Elbasanit.

Nëse e ka seriozisht këtë punë dhe nëse vërtetë nuk i trembet krimit, policët e ndërshëm që kanë mbetur ende në Policinë e Shtetit e dinë shumë mirë se ku, kur dhe si duhet të godasin.

E gjithë kjo që ndodhi sot ishte një spektakël i panevojshëm, i cili mund të trembë ndoshta hajdutet e xhepave, por jo grupet e vërteta kriminale, të cilat deri më tani kanë treguar se i kanë në xhep politikanët dhe fatkeqësisht, struktura të larta të Policisë së Shtetit.

Sepse, nuk mund të shpjegohet ndryshe që krimi kapardiset ditën për diell me makina të blinduara, qëllon edhe ndaj policisë dhe askush nuk guxon t'u afrohet e jo më t'i arrestojë. /albeu.com/
Shtuar më 05/09/2018, ora 18:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori