Perplasje te thella mes partnereve te koalicionit qeveritar ne Maqedoni
Albeu.com
Zhvillimet e fundit në vend siç janë vendimi për mësimin e obligueshëm të maqedonishtes nga klasa e parë, pastaj vendimin për ndërtimin e kishës por jo edhe të xhamisë në sheshin e Shkupit, paralajmërimet për hapjen e proceseve gjyqësore për rastet e Hagës si dhe ...... raste tjera përfshirë edhe mosmiratimin e konkluzioneve për rastin e Sopotit, kanë shkaktuar përplasje të thella mes partnerëve të koalicionit qeveritar. Këto dallime vërehen edhe në institucionin ligjvënës por, koordinatorët e grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE-së dhe të BDI-së, thonë se megjithatë bashkëpunimi mes dy partive ekziston dhe se për çështjet e hapura negociohet në vazhdimësi.
“Për të gjitha mospajtimet, gjegjësisht qëndrimet e ndryshme të kolegëve nga BDI-ja, bisedojmë haptas dhe i respektojmë mendimet e tyre, ne i paraqesim argumentet tona dhe lamë hapësirë që me kalimin e kohës bisedimet tona ti afrojnë qëndrimet ndaj njëra tjetrës”, deklaroi Silvana Boneva, kryetare e grupit parlamentarë të VMRO-DPMNE-së.

Në vij të njëjtë me Bonevën edhe kryetari i grupit parlamentar të BDI-së Tahir Hani, i cili theksoi se pa marrëveshje paraprake mes grupit parlamentar të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së asgjë nuk mund të miratohet në parlament, këtë e konfirmon edhe rasti i dy ligjeve që kanë të bëjnë me arsimin fillor dhe të mesëm.

“Unë si koordinator i grupit parlamentarë fillimisht në takimin e parë që kam pasur me koordinatoren e VMRO-së Sillvana Bonevën kemi vendos parim që të gjitha veprimet ti harmonizojmë dhe për çdo propozim ligj, për çdo akt tjetër që do të miratohet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë ne do të duhet paraprakisht ti harmonizojmë qëndrimet dhe ky parim funksionon në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Kemi pasur rastin e dy ligjeve të cilat janë propozua pa pëlqimin e grupit parlamentar të BDI-së dhe që të dy ligjet me intervenimin tonë janë tërheq”, theksoi Tahir Hani, kryetar i grupit parlamentar të BDI-së.

Përkundër këtyre pohimeve Alsat mëson se dy grupet parlamentare përmes kushtëzimeve të ndërsjella po tentojnë të arrijnë miratimin e ligjeve të mbetura. Si kompensim për miratimin e ndryshimeve për ligjin e arsimit fillor dhe të mesëm, BDI-ja kërkon nga VMRO-DPMNE-ja mbështetje për miratimin e konkluzioneve për rastin e Sopotit. (Bedri Rexhallari, alsat-m)
Shtuar më 01/02/2010, ora 03:59
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori