Përndiqte dhe dhunonte vajzën 14-vjeçare, babai e merr peng
Një 18-vjeçar është arrestuar nga Policia e Elbasanit, pasi përndiqte një vajzë të mitur.dhuna-ndaj-grave

Në prangat e Policisë ka rënë po ashtu edhe babai i së miturës, Astrit Kushi, pasi akuzohet se me ndihmën e dy personave të tjerë ka mbajtur peng për disa orë 18-vjeçarin që i përndiqte vajzën.

Më vonë, shërbimet e Policisë së Elbasanit kanë bërë edhe arrestimin e dy personave të tjerë të shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur.

Burime nga Policia e Elbasanit thanë se janë arrestuar si bashkëpunëtorë në pengmarrje edhe Oliger Kushi e Gent Sharra. Ata, bashkë me babanë e vajzës së mitur, i kanë hequr për disa orë lirinë 18-vjeçait Luka Haxhiu.

Mësohet se Astrit Kushi, punonjës i Burgut të Peqinit, dhe dy personat e tjerë e kanë marrë adoleshentin në automjet dhe e kanë dhunuar pranë lumit Shkumbin. Sipas Policisë, 18-vjeçari Haxhiu rezultoi se ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj 14-vjeçares.

Për rrjedhojë, babai i vajzës dhe dy personat e tjerë e kanë marrë duke e keqtrajtuar për disa orë. "Përndiqte dhe ushtronte dhunë fizike e psikologjike ndaj një shtetaseje të mitur, vihet në pranga 18-vjeçari. Gjithashtu arrestohet edhe babai i së miturës dhe shpallen në kërkim dy persona të tjerë, të cilët ushtruan dhunë fizike dhe i hoqën lirinë për disa orë 18-vjeçarit", tha zyrtarisht Policia e Elbasanit.

Më tej sqaroi se specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: Astrit Kushi, 49 vjeç dhe Luka Haxhiu, 18 vjeç, banues në Elbasan. Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e më pas u arrestuan edhe shtetasit Gent Sharra, 46 vjeç, dhe Oliger Kushi, 20 vjeç, banues në Elbasan.

Policia tha se arrestimi i shtetasit Luka Haxhiu u bë, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se ky shtetas ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj një shtetaseje të mitur 14-vjeçare.

Ndërsa arrestimi i shtetasit Astrit Kushi (i ati i vajzës) dhe dy personave të tjerë u bë, pasi këta shtetas, në bashkëpunim mes tyre, ditën e martë dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 18-vjeçarit Luka Haxhiu dhe i kanë hequr lirinë këtij të fundit, duke e mbajtur në një automjet për disa orë.

Shtuar më 20/08/2020, ora 12:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori