Përmbytjet në Shkodër, dëmi mbi 4.5 mln $
Mbi 4.5 milionë dollarë parashikohet të jetë dëmi i shkaktuar në zonën e nën Shkodrës nga përmbytjet e fundit. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bëri me dije se përllogaritja e dëmshpërblimeve për fermerët është drejt përfundimit. Ndërkohë, ndihma për banorët e zonës po vazhdon, për shkak të problemeve post-përmbytjes.

Të kthyer në shtëpitë dhe pronat e tyre, që u përfshinë nga përmbytjet masive të dhejtorit, banorët e komunës së Dajçit po përballen përditë me vështirësi për kthimin në jetën normale. Përmbytjet dëmtuan banesat, por edhe fermat e tyre bujqësore dhe blegtorale, të cilat janë burimi i tyre i vetëm i jetesës. E gjithë baza ushqimore e bagëtive u rrëmbye nga vërshimi i ujrave dhe tani banorët ndeshen në vështirësi për të mbajtur gjallë bagëtitë që i shpëtuan përmbytjes.

Kryetari i Komunës së Dajçit, Arben Gjuraj, thotë se banorët kanë nevoja të ngutshme për bazën ushqimore të bagëtive dhe se, për këtë, ata kanë apeluar për ndihmë. Këtij apeli, veç të tjerash, i është përgjigjur edhe Banka Intesa Sanpaolo, një nga më të mëdhat në Shqipëri.

Në fshatin Shirgj, po shpërndahet një sasi e bazës ushqimore që ka ardhur në mbështetje të fermerëve. Për momentin, në fazën e tanishme të pas emergjencës, nevojat më të mëdha që kërkohen nga fermerët, janë ato për bazën ushqimore për bagëtinë, pasi ajo është dëmtuar gjatë përmbytjeve
Kjo ndihmë, që konsiston në bazën ushqimore për bagëtinë, ka një vlerë prej 35 mijë eurosh. Ajo e qon ndihmën e bankës tonë në 85 mijë euro për vitin 2010. Ne kemi angazhuar të gjithë burimt tona financiare dhe njerëzore, në mënyrë që t’i gjindemi sa më pranë komunitetit ku ne operojmë.

Drejt zonës së Nënshkodrës , ku tashmë ujrat janë larguar duke lënë pas gjurmët e shumta të shkatërrimit, vazhdojnë të shkojnë ndihma ushqimore dhe materiale, në përpjekje për të mbështetur rreth 50 mijë banorë të kësaj zone.
“Unë mund të bëja ndoshta një referim relativ duke menduar që dëmtimet bujqësore, nisur nga shumë e zhdëmtimit që ne kemi përdorur vitin e kaluar për përmbytjen e kaluar që qe dhe me një sipërfaqe më të vogël dhe një përiudhë më të shkurtër kohe, ka qenë rreth 4 milionë e gjysmë dollarë dëmtime në aktivitetin bujqësor. Sivjet pritshmëria ime është që mund të jetë një shifër më e lartë ”, ka thënë sot Ministri i Bujqësisë Genc Ruli.

Zoti Ruli ka bërë me dije se një sërë ndërhyrjesh do të kryhen gjatë këtij vitit në rajonin e Shkodrës dhe zona të tjera, me qëllim evitimin e përmbytjeve dhe mbrojtjen nga vërshimet e mundshme të ujrave.

“Do të ketë një rehabilitim të plotë të rreth 30 kilometra argjinatura në lumenjtë Kir, Gjadër, Drin dhe Bunë. Do zgjerohet dhe thellohet gati në 1/3 e gjatësisë së saj vetë lumi i Bunës, do të rikonstruktohet tërësisht argjinatura mbrojtëse e Torovicës si dhe do të bëhet rehabilitimi i plotë i tre hidrovorëve kryesorë” tha Ruli.
Shtuar më 13/01/2011, ora 18:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori