Përmbytjet, ja situata deri në mesditë
Pas reshjeve të shiut me intesitet të lartë që kanë përfshirë të gjithë vendin, situata vijon të monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, e cila po koordinon veprimet me të gjitha institucionet dhe strukturat operacionale në terren.

Forcat e FNSH në gjithë vendin janë në terren, në ndihmë të banorëve.

Situata deri në orën 12:00:
Qarku Tiranë. Në Babrru janë evakuar 25 familje, pasi banesat e tyre rrezikoheshin nga përmbytjet e lumit. Në njësinë administrative Paskuqan është çarë tubacioni i ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Tiranës dhe po punohet per riparimin e tij.
Aktualisht në qytetin e Tiranës është rritur niveli i Lumit te Lanës.

Në rrugën “Mentor Xhemali”, si pasojë e reshjeve të shiut ka prezencë uji në disa banesa. Në vendngjarje janë forcat zjarrfikëse dhe të policisë.

Tek “Ura e Beshirit” ka prezencë uji në aksin rrugor kombëtar Tiranë-Durrës. Po punohet nga forcat zjarrfikëse të Tiranës dhe policia rrugore. Në rrugën “Siri Kodra”, pranë ish-Frigoriferit, ka prezencë uji në rrugë që ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Po ndërhyhet nga forcat zjarrfikëse dhe tek nënstacioni elektrik.

Në rrugën "Don Bosko" ka prezencë uji, që ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Tek Bregu i Lumit, tek ish-Nishtulla nr. 3 janë evakuuar 3 familje që rrezikoheshin nga përmbytja.

Qarku Lezhë. Në fshatin Pllane, njësia administrative Zejmen, Bashkia Lezhë, si pasojë e fryrjes së përroit të Malbardhës rrezikohen disa banesa. Në vendngjarje janë administratori i njësisë administrative dhe forcat zjarrfikëse të Lezhës.
Për t’u ardhur në ndihmë banorëve kanë shkuar forcat e FNSH-së dhe policisë lokale.

Në fshatin Fushë Kuqe, njësia administrative Fushë Kuqe, bashkia Laç, si pasojë e reshjeve rrezikohen disa banesa. Në vendngjarje janë administratori i njësisë administrative dhe forcat zjarrfikëse të Laçit.

Qarku Durrës. Në Fushë – Krujë dhe fshatin Derven i Poshtëm ka pasur prezencë uji si rezultat i fryrjes së lumit që rrezikon disa banesa. Në vendngjarje janë administratori i njësisë administrative dhe forcat zjarrfikëse të Krujës.

Qarku Dibër. Në fshatin Gjoricë e Poshtme të Bashkisë Bulqizë rrezikohet argjinatura e lumit Drin. Forca të Ministrisë së Mbrojtjes janë të gadishmëri për të evakuuar rreth 200 banorë, nëse do të jetë e nevojshme. Gjithashtu në Fushë Bulqizë rrezikohen disa banesa nga përmbytjet. /albeu.com/
Shtuar më 06/01/2016, ora 12:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori