Përmbaruesi i çon çelësat e banesës në varreza kreditorit, nxjerr jashtë banorët
Pëlqej
“Fiks Fare” trajtoi problemin e katër familjeve nga Pogradeci, të cilat jetojnë që në 1986 në ambientet ndihmëse të ish-maternitetit të vjetër dhe një muaj më parë u ka ardhur urdhri nga përmbarimi për t’i liruar pronën pronarit.

Absurdi qëndron në kërkesën e përmbaruesit Julian Prifti, i cili citon se kërkuesi dhe kreditori është Sotir Krëste. Ndërkohë që Sotir Krëste ka dy vjet që ka ndërruar jetë.

Çelësat e shtëpisë banorët i dorëzuan tek varri i tij. Të njëjtën gjë rekomandoi duke qeshur edhe përmbaruesi Julian Prifti për kameran e Fiksit. Ai e pranon që ka bërë gabim në formulimin e kërkesës dhe se ata po të duan çelësat të shkojnë t’i dorëzojnë në një vend që quhet Gështenjas, ose rrëzë gështenjave, duke iu referuar varrezave të Pogradecit.fiksi-ok

Julian Prifti, përmbaruesi privat jo vetëm ka bërë kërkesë për një të vdekur, por në kundërshtim me kodin e procedurës civile i ka bllokuar edhe llogaritë e bankës duke u mbajtur lekët e invaliditetit. Në mes lotësh banorët tregojnë për Fiksin që ky vendim do t’i nxjerrë ata në rrugë të madhe.

Ky përmbarues vetëm pak javë më parë bllokoi dhe pensionet e invaliditetit. Për të bërë zhbllokimin e llogarive ju desh të ankoheshin në gjykatë dhe kjo e fundit t’i jepte të drejtë. “Ne jemi akoma nëpër gjyqe e këta duan të na nxjerrin jashtë. Vendimi i gjykatës është vendim gjykate, unë jam i gatshëm ta respektoj po ku ta gjej Sotir Krestën që na qenka kërkuesi e t’i dorëzoj çelësat. Ai ka dy vjet që ka vdekur”, shprehet Florian Menkshi, i cili është i gatshëm t’i dorëzojë dhe çelësat tek varri i të ndjerit.

Gjithashtu, banorët pretendojnë së këto ambiente ku ata jetojnë prej më shumë se 30 vitesh dhe kanë paguar edhe qiranë, nuk duhet të ishin objekt i vendimit dhe nuk duhet t’i ishin kthyer pronarit. Ato vërtet janë mbi truallin e ish-pronarit, por janë ndërtuar nga shteti si objekte ndihmëse për maternitetin shkruan TCH.

Fiksi kontaktoi edhe përmbaruesin privat Julian Prifti. I pyetur për Sotir Krësten e pranon që ka dijeni se ka vdekur, madje ia bën me dorë në mënyre të tillë që të lë të kuptosh situatën absurde në të cilën ndodhet. Për kërkesën e bërë në emër të tij ai thotë se është gabim, por i parëndësishëm, pasi nuk ndryshon thelbin e problemit. Për përmbaruesin, banorët në këtë rast “le t’i dorëzojnë çelësat në Gështenjas, tek varrezat.” Sipas tij, pavarësisht gabimit, kërkesa tek ai është bërë nga njëri prej trashëgimtarëve.
Shtuar më 14/06/2018, ora 21:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori