Përkujtohet Përvjetori i Çlirimit në Shkodër
Në përvjetorin e Çlirimit të vendit, Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi e shoqëruar nga Komiteti i Veteranëve Shkodër dhe familjarë të dëshmorëve të LANÇ, ka zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Shkodrës.

I pranishëm në këto homazhe ka qenë edhe Prefekti i Qarkut Shkodër Çesk Millja, si dhe drejtues të institucioneve të ndryshme rajonale.

Në fjalën e saj, ku përkujton të rënët në luftë, Znj. Mesi përcolli mesazh për të gjithë aktorët e shoqërisë që duhet të japin maksimumin për vendin.

"Sot jemi në një realitet tjetër. Shqipëria Euroatlantike, Shqipëria në NATO, Shqipëria që punon çdo ditë me reforma për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Është detyra jonë që të bëjmë maksimumin për Shqipërinë", tha Mesi.

E pyetur lidhur me faktin që Bashkia Shkodër nuk e festoi këtë ditë dhe lidhur me deklaratën e Kryebashkiakes, që e cilësoi 29 Nëntorin si një ditë të zezë, Zëvendëskryeministrja Mesi u shpreh:

"Gjithmonë kemi festuar 2 ditë në Nëntor. 28-29 Nëntori janë festa të të gjithë shqiptarëve. Janë festa që duhet të na bashkojnë dhe jo të përçojnë ndasi".
Shtuar më 29/11/2018, ora 16:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori