Perjashtimi i nxeneseve me shami; Reagon Forumi Musliman i Kosoves
Albeu.com
Forumi Musliman i Kosovës i ka përcjellë me shqetësim të madh zhvillimet e fundit të shkeljes së drejtave të popullatës shumicë në Kosovë: rastin e Skenderajt ku tri nxënëse (Fatmire Jasharit,Valbona Kabashit dhe Minire Veliut) me sjellje shembullore dhe sukses të shkëlqyer ...FORUMI MUSLIMAN I KOSOVËS
Deklaratë për shtyp

LARGIMI I SHAMIAVE

Forumi Musliman i Kosovës i ka përcjellë me shqetësim të madh zhvillimet e fundit të shkeljes së drejtave të popullatës shumicë në Kosovë: rastin e Skenderajt ku tri nxënëse (Fatmire Jasharit,Valbona Kabashit dhe Minire Veliut) me sjellje shembullore dhe sukses të shkëlqyer të klasës XII janë përjashtuar nga procesi mësimor, rastin tjetër në Gjilan të largimit nga klasa të një nxënëse me shami dhe rastin e fundit në Prizren të mospranimit të kandidateve Sejhane Gashi dhe Majlinda Qollopeku për mësuese në shkollat fillore “Mustafa Bakiu” dhe “Fadil Hisari”, edhe pse me përgatitje superiore, me të vetmin shkas pasi që janë me shamia.

Edhe pse me lejen e marrë nga ana e Drejtorisë për urbanizëm në Prizren janë vendosur 2 pankarta me urime të Ramazanit, vetëm pas një dite, mu në prag të iftarit janë hequr këto me urdhër të Drejtorisë për komunikacion të Prizrenit. Merreni me mend, ky veprim barbar kryhet me urdhër të zyrtarëve komunal, edhe atë në Prizren, në qytetin i cili është i njohur për kulturë, harmoni dhe bashkëjetesë pa marr parasysh përkatësin etnike a fetare. Pikërisht në Prizren, vjet për nderë të festave të Kërshëndellave zyrtarët komunal kanë harxhuar plot 20.000 euro për stolisje dhe ndriçime të qytetit, si dhe pankarta për urimin e kërshëndellave dhe vitit të ri ka qëndruar plot një muaj dhe atë, mu në Shatërvan, në qendër të qytetit të Prizrenit, pa kurrfarë problemi dhe pengese.

Forumi Musliman i Kosovës e konsideron këtë si shkeljen më flagrante që mund t’i bëhen të drejtave fetare dhe kombëtare të popullatës shumicë shqiptare në Kosovë, për ata që shtiren dhe duan të mashtrojnë vetveten, se opinionin e gjerë kombëtar e ndërkombëtar jo se jo, le të dinë se Kosova është një vend me shumicë myslimane, ashtu siç është “Shqipëria një vend mysliman që jeton në paqe”, siç patë deklaruar presidenti amerikan gjatë vizitës së tij të para pak kohe në Shqipëri.

Në kohën kur Kosova po bën të pamundurën për t’u bërë shtet i pavarur me ndihmën e aleatëve, posaçërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e konsiderojmë tendencioze dhe të qëllimshme valën e fushatës më të re antiislame nëpër institucionet publike në Kosovë. Forumi Musliman i Kosovës rikujton se në shtetet më të përparuara në botë, siç janë bie fjala SHBA, njerëz të të gjitha feve me veshjet e tyre të përcaktuara fetare punojnë nëpër të gjitha institucionet publike dhe ndjekin shkollat shtetërore pa kurrfarë problemi. Është shumë e rrezikshme që shteti i Kosovës që në zanafillë të startojë me cenimin e të drejtave më fundamentale të qytetarëve të saj shumicë duke marrë kështu për mostër regjimet diktatoriale të Amerikës Latine dhe Azisë.

Muslimanët shqiptarë kosovarë kanë marrë në vazhdimësi mirënjohje për kontributin e tyre të pandërprerë në mbarëvajtjen e harmonisë etnike dhe fetare në Kosovë sikur edhe në mbështetjen për avancimin e çështjes së Kosovës, kështu që përdorimi e cenimi i të drejtave të tyre të garantuara me kushtetutë si alibi kundër kauzës kombëtare është i pabazë dhe me pasoja afatgjata e të paparashikueshme.

Nëqoftëse mbulesa e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze – nuk i pengon askujt që ta promovojë atë nëpër institucione zyrtare Kosovare dhe bile dikujt i shërben si pretekst për të nxitur fushata katolikofile kundër myslimanëve shqiptarë, atëherë si ka mundësi që mbulesa e nxënëseve shqiptare nëpër Kosovë, të cilat në të ardhmen do të japin kontributin e tyre për vendin e tyre, të jetë kaq e padëshiruar për drejtorët e shkollave ku vijojnë vajzat. Këta drejtorë punojnë krye në veti në kundërshtim me ligjin dhe pa pikë morali i ndëshkojnë nxënëset e shkëlqyera dhe shembullore në Kosovë.
Forumi Musliman i Kosovës bën me dije se nuk do ta tolerojë deri në pafundësi këtë gjendje të nëpërkëmbjes së të drejtave të myslimanëve shqiptarë kosovarë dhe nuk bart përgjegjësitë për eskalimin e situatës si rezultat i organizimit të protestave të mundshme në mbrojtje të ligjit dhe të drejtës për shkollim të vajzave shqiptare në Skenderaj dhe gjetkë.
Forumi Musliman i Kosovës i bën thirrje Ombudspersonit në Kosovë, autoriteteve komunale, atyre shtetërore qendrore dhe shoqërisë civile në përgjithësi që të ngrenë zërin e tyre kundër shkeljes së të drejtës për vijim shkollimi të nxënësve shqiptare myslimane në Kosovë nga autoritetet e shkollave të tyre përkatëse.




23 shtator 2007
Forumi Musliman i Kosovës

Shënim: Forumi Musliman i Kosovës është organizatë jo qeveritare e shoqërisë civile të myslimanëve shqiptarë dhe të tjerëve të Kosovës.
Shtuar më 25/09/2007, ora 15:37
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori