Takimi i Llallës me kreun e SHISH, dyshohet për pajisje tjetër
Skandali i përgjimeve dhe zhvillimet e fundit lidhur me hetimet që sollën pezullimin e kreut të Policisë, Çako, mblodhi dje në një takim Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla me Kreun e SHISH, Visho Ajazi Lika.

Takimi mes dy zyrtarëve të lartë është mbajtur në kohën kur Prokuroria e Tiranës po kryen hetime në lidhje me pajisjen përgjuese “IMSI Catcher” dhe për këtë hetim ka pezulluar nga detyra drejtorin e Policisë, Haki Çako, shefin e FLO, Artion Duka, dhe shefin e IT në Forcën Operacionale, Ention Xhelilaj.

Mësohet se SHISH ka ofruar mbështetje në hetimin e Prokurorisë. Organi i akuzës ndërkohë ka dyshime se pajisje përgjuese janë futur e kanë vepruar në Shqipëri edhe më parë. Nga burimet mësohet se pyetja e një drejtuesi të lartë të policisë ka zbardhur raste të tjera të futjes së pajisjes në vend pa autorizimin e Prokurorisë.

Pyetja që i është bërë zyrtarit ka qenë: “A keni dijeni nëse ka ardhur tjetër pajisje ‘IMSI Catcher’ në territorin e Republikës së Shqipërisë për të kryer përgjime për vitin 2015- 2016?”.

Zyrtari i policisë ka dhënë përgjigjen: “Në dijeninë time, në vitin 2015 është ofruar ndihme nga Policia italiane për ngjarjen e vendosjes së tritolit në farmacinë në pronësi të babait të ministrit të Brendshëm. Unë e kam parë këtë pajisje dhe ajo ndryshonte në formë nga pajisja që ka ardhur për trajnim. Ajo pajisje ishte nga prodhues tjetër, por nuk ndryshonte në funksione”. /albeu.com/
Shtuar më 10/06/2016, ora 08:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori