Përgjimet, si i kanë përdhosur kështu shqiptarët!
Nga Ben Andoni

Në orët e fundit kanë dalë përgjigjet e tjera të disa individëve të administratës me personazhe të ndryshme në vend sa i përket shit-blerjes së votave. Në dialogë të ngushtë dhe të shkurtër kupton realisht sesa e duan pushtetin shqiptarët, por edhe sesi funksinojmë realisht.

Para votës: mësuesi, drejtori, ministri e me radhë janë thjesht numra në shërbim të pushtetit. Në një vend si Shqipëria që zhvillohet pa rregulla, lufta më e madhe është sesi të katapultohesh dhe ta zhvasësh vendin, duke qëndruar në pushtet.

Demokracia e viteve post ’90 është një iluzion kërkimi i kanoneve të drejtësisë por aspak demokraci e vërtetë.

Mënyra e ulët sesi gjykohen njerëzit e administratës, zhargoni i përdorur, kërcënimi si shihen mësuesit dhe personazhet e ndryshme është i frikshëm.

Akoma më i frikshëm është pozicioni absurd i Prokurorisë shqiptare që ka kuar me materiale “BILD”-in një nga organet, i cili realisht i ka shitur shtrenjtë paradokset shqiptare.

Në ditët tona, Shqipëria, jo thjesht prej përgjigjeve, por edhe me rritjen e numrit të azilantëve, krimin dhe sasinë e drogës që i përcjell sistematikisht botës është sot një vend që konsiderohet si një nga vendet më problematike në kontinent. Paçka se ka vende që kontinentit i kanë bërë të zeza, që kanë shënjuar historinë; paçka se ka vende që drogën e kanë të përdorur më shumë se ne, gjithçka e zezë duket se varet me shqiptarët. Stereotipi shqiptar është thellësisht i keq dhe kudo deri në art: Njerëz të errët, të shëmtuar, prostituta, kriminelë pa fund etj.

Në komunizëm e bëmë ndërtimin e imazhit të keq me vetëdije me sloganet tona, kur e simbolizonim Shqipërinë si një kështjellë ku thyenin të gjithë kokën (!), por në Demokraci po bëjmë një garë të shëmtuar përdhosje, ku të dy krahët politikë nuk mbahen. E bënë socialistët në opozitë, duke sulmuar ashpër çdo gjë dhe duke e nxirë vendin, e po ua kthejnë me të njëjtën monedhë demokratët, duke zbuluar përgjigje të frikshme për të ardhmen. E përcaktojmë në këtë mënyrë sepse është një habi e madhe sesi mund të dalin materiale kaq të besuara nga organet që duhet të ruajnë dinjitetin e shtetit dhe sa të shitur jemi ndaj të huajve kundra vendit tonë. Ndërkohë, të marra në vërtetësinë e tyre, këto përgjime na tregojnë se niveli i demokracisë është në hapa fëminorë dhe Shqipëria është ende në një fazë tranzicioni, që nuk mund t’i shkëputet.

Si do që të rrjedhin ditët deri më 30 Qershor, të zhvillohen ngjarjet, të zgjidhen gjërat, shqiptarët nuk janë këta sorollopët që flasin në përgjimet dhe që fatkeqësisht vendosin për fatet tona. Shqiptarët janë punëtorë dhe të drejtë, por edhe njerëz që megjithë këtë fuqi shkatërrimi që ka në vend, e këta s’janë të pakët, kanë ruajtur identitetin. Gjithsesi jemi fëmijë në demokraci dhe të tillë që do na duhet shumë për t’u rritur në një sistem, që me sa duket nuk kemi ende shumë lidhje.
Shtuar më 18/06/2019, ora 10:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori