Përgjimet e "Ndraghetas", Hoxha flet për pastrimin e parave në ndërtim
Gazetari Artan Hoxha ka folur ditën e sotme për përgjimet e antimafias italiane në dosjen “Ndraghetas” si edhe debatin që është krijuar ditët e fundit në Tiranë.

Sipas gazetarit problematika më e madhe mbetet tek fakti se ende në Shqipëri nuk ka asnjë zyrtar të lartë të dënuar.

“Nuk kemi asnjë politikan apo zyrtar të lartë që ka shkuar në burg. Sot më intereson fenomeni, emrat në Shqipëri nuk goditen”, shprehet Hoxha në studion e ABCNews.

Artan Hoxha thekson se e vetmja industri që është vënë re duke lulëzuar është ndërtimi dhe burimet financiare nuk dihen. Gjatë intervistës ai flet edhe për skema e pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit.

“Ata kanë kontakt me një grup shqiptar i cili ka kontakt me një person që është quajtur sekser. Gjithashtu përpiqen të gjejnë një kompani që nuk i ka dalë emri askund, por që është në vështirësi financiare. Ndërkohë i vjen oferta ku edhe i bëhet me dije se trualli është gjetur, paratë i jepen kompanisë së paekspozuar e cila e ka të lehtë të marrë tenderin sepse nga pas janë lidhjet direkte me pushtetarët. Asnjëherë nuk është kundërshtuar ndonjë leje ndërtimi.

Fitimi është sigurisht 5-6 fish më i madh se investimi dhe në këtë mënyrë ka për të paguar 20% , gjithashtu mund të korruptosh policë apo prokurorë duke u bërë i këta grupe të paprekshëm. Krijohen lidhjet në këtë mënyrë. Pra siç edhe e shohim nuk futen dot kompanitë serioze në Shqipëri”, sqaroi Hoxha.

Gazetari sqaroi se këto ambiente blihen nga persona që janë të lidhura me krimin.

“Kush mund t’i mbajë ambiente për një kohë të gjatë pa i vënë në punë? Çunat trima të “Ndraghetas” ose këta të tanët që janë të lidhur. Krimi i organizuar këtë bën, gjen kompani që kanë probleme. Pasi këta kanë dy rrugë ose të falimentojnë ose të presin ndonjë injektim”, shprehet Artan Hoxha.
Shtuar më 25/01/2021, ora 13:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori