Perfundon tryeza e Rames me aleatet
Albeu.com
Ka përfunduar tryeza informuese e Partisë Socialiste me aleatët e saj pas takimit të së shtunës mes kreut socialist Rama me kryeministrin Berisha në presidencë. Në tryezë ka pasur edhe debate për caktimin e një date të caktuar për fillimin e protestave pasi tryeza e djeshme nuk kishte ndonjë zgjidhje.
Kreu i PLD-së Spartak Ngjela në një prononcim për mediat theksoi se opozita i qëndron mendimit se tryeza ishte progres por nuk pati zgjidhje. Sipas tij opozita i qëndron faktit që është e drejtë kushtetuese transparenca e zgjedhjeve dhe kjo është shkelur. Gjithashtu Ngjela theksoi se ai kishte mbajtur një qëndrim kundër për caktimin e një date për fillimin e protestave.
"Unë nuk ndava të njëjtën mendim me Ramën për caktimin e një date për protestat theksoi Ngjela duke shtuar se kreu socialist është i mendimit që opozita të mblidhet sërish për një datë tjetër nëse shihet se tryeza nuk ka efekt.
Ndërkohë kreu i PDS-së Paskal Milo theksoi se kjo tryezë ishte informuese për takimin e djeshëm duke shtuar se nuk ka më bisedë por tashmë topi është në zyrën e presidentit Topi. Ai gjithashtu i bëri thirrje presidentit që të respektojë të drejtën kushtetuese të opozitës për hapjen e kutive.
"Kjo nuk është një favor që i bëhet opozitës por një e drejtë kushtetuese e presidentit që në përputhje me ligjin të zgjidh krizën politike" theksoi Milo.
Ndërkaq kreu i G99-ës Erion Veliaj theskoi se nëse negociatat mes dy krerëve të partive politike do të dështojnë atëherë opozita do të fillojë sërish me protestat. Sipas tij bisedimet nuk mund të jenë të pafundme dhe se presidenti Topi ka shansin për të hyrë në histori dhe për të zgjidhur krizën politike.
Shtuar më 14/02/2010, ora 19:28
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori