Përfundon seanca ndaj bandës së Habilajve, Tahirit i përmendet vetëm emri
Seanca e radhës kundër bandësHabilajve është zhvilluar sot paradite me dyer të mbyllura në Gjykatën e Katanias.

Ashtu siç ishte parashikuar, në seancën e sotme kanë marrë fjalën para trupit gjykues tre avokatë mbrojtës, mes të cilëve avokati i italianit të arrestuar Antonio Riella, bashkëpunëtor me vëllezërit Habilaj si dhe avokati i shqiptarit Nezar Seitit i konsideruar financieri i bandësHabilajve.

Seanca e radhës pritet të zhvillohet në muajin maj ku do të paraqesë mbrojtjen dhe avokatja e Moisi Habilaj.

Në urdhër arrestimin e firmosur nga prokurorja Loredana Pezzini, në kuadër të operacionit "Rosa dei venti", ekzekutuar në tetor të 2017, shprehet qarte se kjo bandë trafikantësh droge ishte ndërtuar mbi një organizim të strukturuar kriminal ku çdo anëtar i saj kishte një rol të caktuar.

Koka e kësaj bande ishte shqiptari Moisi Habilaj i ndihmuar nga vëllai i tij Florian Habilaj i thirrur me nofkën Lolo, i cili është shpallur person në kërkim, si dhe nga kushërinjtë Meridan e Armando Sulaj, nga Nezar Seiti e Fatmir Minaj e nga shtetasit italianë Vincenzo Spampinato, Antonio Riela, Angelo Busaca, e Gianluca Passavanti.

Sipas hetimeve 5-vjeçare të Antidrogës së Katanias, banda e Habilajve trafikonte nga Shqipëria në Itali sasi të mëdha droge në rrugë detare përmes automjeteve që tranzitonin me tragete përmes portit të Barit e Brindizit, si dhe me anë të gomoneve apo barkave të peshkimit.

Në dosjen voluminoze të Prokurorisë së Katanias përmendet disa herë emri i ish-ministrit të Brendshëm shqiptar Sajmir Tahiri, kushëri me vëllezërit Habilaj, me automjetin e të cilit tip Audi 8 rezulton të kenë mbërritur në Siçili Moisi Habilaj e Sabaudin Celaj.

Hetimet e mëvonshme të Prokurorisë së Katanias ndaj ish ministrit Tahiri, nuk konfirmojnë lidhjet e tij me aktivitetin kriminal të bandësHabilajve në Itali, duke e shpallur atë person jo nën hetim nga drejtësia italiane.


Shtuar më 12/03/2019, ora 14:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori