Përfundon procesi zgjedhor, ushtria rikthehet në "frontin e luftës"
Që prej ditës së martë, efektivët e policisë janë rikthyer në pozicionet e tyre të punës, pas përfundimit të procesit zgjedhor në pjesën më të madhe të vendit. Ndërkohë forcat e ushtrisë që zëvendësuan rreth 280 efektivë policie të cilët ruanin objektet e rëndësisë së veçantë, vazhdojnë ende në këtë detyrë.

Ndërkaq, një pjesë e efektivëve të policisë, vazhdojnë të ruajnë KZAZ në të cilat po vazhdon numërimi për votat e Këshillave Bashkiakë. Megjithëse, procesi zgjedhor në tërësi u zhvillua i qetë, u shënuan disa incidente të shkëputura nga njëra tjetra. Gjatë votimi të së dielës, një 66 vjeçar në Kamëz, tentoi të griste fletët e votimit dhe të thyente kutitë, por u arrestua menjëherë nga policia.

Po në 30 qershor, një 53 vjeçar në Katund Sukth, në Durrës, hyri me armë në një qendër votimi, nga ku ka marrë kutinë e votimit dhe nën kërcënimin e armës ka nxjerrë jashtë Komisionerët. Edhe ai u arrestua nga flagrancë nga policia.

Megjithatë votimet e zgjedhjeve këtë vit, kanë shënuar ma pak incidente se zgjedhjet e viteve të kaluara. Në 2013-ën në Laç, Gjon Gjoni, përkrahës i Lëvizjes socialiste per integrim, mbeti I vrarë jashtë një qendre votimi, ku policia gjeti edhe 15 gëzhëoja nga tre armë të ndryshme. Të plagosur atë kohë, mbetën edhe dy persona të tjerë.

Ndërsa në zgjedhjet lokale të 2015-ës, një incident i rëndë u shënuan në Vaun e Dejës, ku një punonjës policie qëlloi me armë në ajër disa herë. Ai u dyshua se qëlloi ndaj vëllai të kandidatit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Alfred Hila, i arrestuar pak ditë më parë si i dyshuar se u përfshi në një protestë ku u dogjën materialet zgjedhore në KZAZ e fshatit Bushat.
Shtuar më 02/07/2019, ora 20:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori