Helmimi i pushuesve nga Kosova në Shëngjin, flet mjeku: S’besojmë se e kanë nga ushqimi

Disa pushues nga Kosova u helmuan dje në një hotel të Shëngjinit, e për rrjedhojë shkuan në spitalin e Lezhës për të marrë ndihmë mjekësore.

Në lidhje me rastin ka folur për mediet mjeku i Spitalit të Lezhës. Mjeku tha se në Spitalin e Lezhës u paraqitën rreth 12 pushues nga Kosova që kishin shfaqur shqetësime.

Ai u shprehet se sipas analizave nuk dyshojnë të kenë pasur komplikacione nga ushqimi. Ai sqaroi se atyre iu është dhënë ndihma mjekësore dhe pas trajtimit, janë larguar nga spitali.

“Ditën e djeshme janë paraqitur në urgjencën e spitalit të Lezhës, rreth 12 persona që vinin nga një hotel të cilët si ankesa kishin marrje mendsh, dobësi të theksuara trupore, dhimbje koke, pro pa të vjella. Me parametra të mirë përveç një tensioni të ulët, kur janë paraqitur në urgjencë janë marrë analizat dhe i është dhënë ndihma mjekësore. Pasi i ështq dhënë ndihma, të gjithë janë përmirësuar dhe në përgjithësi analizat kanë dalë mirë. Aktualisht nuk ka të shtruar në spital, pasi kanë marrë ndihmën janë larguar nga urgjenca.”-shpjegon mjeku.

Sipas AKU në Lezhë, nuk bëhet fjalë për helmim nga ushqimet, por për një problem me një lëndë të përdorur për dezinfektimin nga mushkonjat, pasi dyshohet se ka qenë e fortë por ndërkohe mund të ketë ndikuar edhe mungesa e energjisë elektrike (ka munguar energjia prej orës 4-6:30 të mëngjesit) dhe temperaturat e larta.

Në lidhje me rastin ka folur edhe Kryetari i Lezhës, Pjerin Ndreu. Ai ka thënë për RTK se mendohet se helmimi ka ardhur nga shkaku i një dezinfektimi me një material kimik. Sipas tij helmimi nuk ka ndodhur nga ushqimi apo nga uji i pijshëm./albeu.com.