Përfundon kontrolli për regjimin automatik në të gjitha pikat e karburantit në vend
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, përmbyllën inspektimin e subjekteve të tregtimit të hidrokarbureve në të gjithë vendin, për të certifikuar regjimin e tyre
automatik.
Në zbatim të Planit Operacional Stop Informalitetit, përgjatë muajve gusht dhe shtator u realizua kontrolli dhe vendosja e regjimit
automatik në të 1,117
subjektet që tregtojnë hidrokarbure dhe gaz të lëngshëm në të gjithë Shqipërinë. Në të gjitha këto subjekte janë vendosur 2,176 regjime automatike të instrumenteve matës, ligjërisht të kontrolluar,
ndërsa u konstatuan 15 shkelje të legjislacionit tatimor.
“Kemi mbuluar me kontrolle të gjithë territorin e vendit, duke siguruar që pompat të jenë në regjim
automatik, duke certifikuar me plumbçe, secilën prej tyre.” – tha Drejtoresha e Përgjithshme e DPT, znj.Delina Ibrahimaj,
ndërsa ndoqi nga afër njërin prej inspektimeve, në Tiranë dhe siguroi se kontrollet do të vazhdojnë, në bashkëpunim edhe me DPM, për të monitoruar respektimin e ligjit edhe tek
subjektet që janë konsumatorë të mëdhenj të karburantit.
Ky proces i certifikimit të regjimit
automatik në tregtimin e hidrokarbureve, është në vazhdën e Planit të gjerë operacional kundër informalitetit, i cili përgjatë gjithë muajit gusht dhe shtator u fokusua tek karburantet, për të garantuar respektimin e rregullit “Pa kupon s’ka karburant”, për të 1,117 operatorët në këtë sektor, duke nisur nga më të mëdhenjtë, deri tek më të vegjlit.
DPT do të vijojë kontrollin në
subjektet, që janë konsumatorët më të mëdhenj të karburantit, për të garantuar ligjshmërinë e veprimeve të tyre, si edhe rikontroll në
subjektet e certifikuara tashmë ligjërisht në regjim manual.
DPT fton
subjektet të vetëdeklarohen në përmbushje,
ndërsa respektimi i ligjit mbetet detyrim për të gjithë./Monitor
Shtuar më 06/10/2019,
ora 22:29