Perfundon greva, neser fillojne bisedimet
Albeu.com
Ka marrë fund greva 19-të ditore e deputetëve të PS-së dhe mbështetësve të saj. Sipas informacioneve më të fundit bisedimet për zgjidhjen e krizës do të mbahen në Strasburg mes komisionerit për zgjerim Fyle, dy liderëve Sali Berisha dhe Edi Rama dhe me ...... pjesëmarrjen e dy kryetarëve të grupeve kuvendore Patozi dhe Ruçi. Kryeministri Berisha ka konfirmuar vizitën e tij në Strasburg.


Kreu i opozitës i cili ka mbajtur edhe fjalimin para protestuesve ka bërë të ditur edhe lajmin për përfundimin e grevës.
"Nesër përfaqësuesit më të lartë të së majtës dhe të djathtës europiane presin në tryezë të dyja palët për të kërkuar zgjidhjen dhe për t'i hapur rrugën jo vetëm transparencës por përballjen me sfidat e integrimit" theksoi Rama.

Sipas tij është ora e një shansi të ri dhe është momenti i një mundësie të re për të mos e lënë këtë shans të humbasë dhe këtë mundësi të zhbëhet.
"Ky nuk është fundi i betejës sonë por një moment i besueshëm por një moment për të shprehur të gjithë vullnetin tonë një zgjidhja dhe transparenca të bëhet" është shprehur kreu i opozitës Rama.
"Motra dhe vëllezër iu shpreh të gjitheve mirënjohjen e thellë për mbeshtetjen dhe kurajon dhe me një fjalët e vetme pasionin që jeni bërë pjesë e kësaj rruge të vështirë" theksoi më tej Rama.

"Kjo mirënjohje është për të gjithë ata që na ndjekin nëpërmjet kamerave të cilat nuk ia janë ndarë kësaj proteste të pandalshme por edhe për të gjithë ata që nuk na ndjekin por nga kanë ndjkur duke u bërë pjesë e kësaj rruge në mënyrën e tyre" theksoi Rama.

Më tej kreu i opozitës theksoi se "kjo është rruga e vështirë e transprencës e një kapërcimi histrorik nga kapitulli rraskapitës të zgjedhjeve të manipuluara në rrugën e Shqipërisë drejt Europës".

"Kemi jetuar momente të ndryshme ku ëndrrat janë derdhur në këtë bulevard për tranparencën e zgjedhjeve për një Shqipëri më të drejtë dhe më të zhvilluar ekonomikisht. Protestat që i kanë bërë nder atdheut tonë por mbi të gjitha kemi kaluar ditë të paharrueshme ku shpirti opozitar është mishëruar në 202 trupa burrash dhe grash që i ka treguar Shqipërisë që idealet nuk janë kthyer në fjalë boshe" theksoi më tej Rama.

Grupi parlamentar i PS-së në mbledhjen e sotme ka mandatuar kreun e saj Edi Rama për të marrë pjesë ditën e nesërme mes tij, kryeministri Berisha dhe komisionerit për zgjerim Stefan Fyle. Sipas deputetes së PS-së Mimi Kodheli grupi parlamentar ka vendosur që bashkë me kreun e PS-së Edi Rama të jenë edhe dy juristë dhe një deputet i cili ende nuk është bërë i ditur se kush do të jetë.

Berisha konfirmon vizitën në Strasburg

Kryeministri Berisha ka konfirmuar vizitën e tij në Strasburg. Në një njoftim për shtyp të zyrës pranë kryeministrisë konfirmohet edhe vizita e kreut të qeverisë në Strasburg.

"Me ftesë të zotit Joseph Doul, Kryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian dhe me ftesë të zotit Martin Schulz, Kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Europianë në Parlamentin Evropian, Kryeministri Berisha niset për në Strasburg, për të marrë pjesë në një darkë që shtrohet për Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Sali Berisha dhe për Kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama.

Gjatë kësaj darke do të diskutohet gjerësisht mbi rrugët dhe mbi mënyrat për t'i dhënë fund ngërçit politik në Shqipëri" theksohet në deklaratën për shtyp në faqen zyrtare të kryeministrisë.
Shtuar më 19/05/2010, ora 23:13
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori