Franca dhe Hungaria, mbështetje të gjithanshme për vendin tonë (FOTO-LAJM)
Pëlqej
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi sot
takime kortezie me ambasadoren e Republikës së Francës, Christine Moro dhe ambasadorin e Hungarisë në Shqipëri, z. Janos Huszar me rastin e përfundimit të misionit të tyre në vendin tonë.

Gjatë takimit me ambasadoren franceze, zoti Basha e falenderoi atë për gjithë mbështetjen që ajo dhe vendi i saj kanë ofruar Shqipërisë, si në procesin e zhvillimit ekonomik ashtu dhe në procesin e integrimit europian.

Një mirënjohje të veçantë, z. Basha i shprehu ambasadores franceze për mbështetjen financiare dhe me ekspertizë teknike që ajo dhe vendi i saj i kanë dhënë projektit të Tiranës moderne dhe europiane dhe veçanërisht projektit të tramit i cili pret garancinë sovrane nga qeveria për t’u realizuar. Z. Basha u shpreh optimist se pavarësisht debatit politik, projekti i tramit do të zbatohet dhe shprehu angazhimin e tij për të bërë gjithçka që ky projekt të shkojë përpara.
Nga ana e saj, ambasadorja Moro vlerësoi se deri më tani projekti nuk ka hasur asnjë vështirësi teknike gjatë hartimit të tij, duke shprehur keqardhjen për vështirësitë politike që po has zbatimi i tij.

Z. Basha e ka njohur znj. Moro me faktin se jo vetëm projekti i tramit është bllokuar nga qeveria por edhe projekte të tjera, siç është bulevardi i ri i Tiranës të cilin qeveria bëri gjithçka për ta penguar, projekti i menaxhimit të mbetjeve urbane, i Bankës Botërore dhe terminali multimodal i Tiranës që mbështetet nga BERZH e për të cilin qeveria duhet të lejojë këshilltarët e majtë të autorizojnë hapjen e procedurave të dhënies me konçension dhe që nuk do t’u kushtojnë asnjë lekë taksapaguesve shqiptarë.

Ndërsa gjatë takimit me z. Janos Huszar, zoti Basha i cilësoi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Hungarisë të shkëlqyera e që janë intensifikuar edhe më shumë kohët e fundit, duke vlerësuar dhe kontributin e ambasadorit Huszar në këtë drejtim. Hungaria, tha z. Basha ka qenë një mbështetëse e madhe dhe historike e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe për këtë, çdo shqiptar iu është mirënjohës, theksoi lideri demokrat.

Ambasadori hungarez ka vlerësuar arritjet e Shqipërisë gjatë drejtimit të qeverisë nga PD të cilat bënë të mundur që Shqipëria të anëtarësohet në NATO dhe të hedhë hapa përpara në procesin e integrimit europian.
Ambasadori falënderoi z. Basha për vlerësimin e figurave të shquara të Hungarisë, siç është vendosja e emrit të heroit kombëtar të Hungarisë “Janos Hunyadi” një rruge të rëndësishme në Tiranë si dhe mbështetjen e ofruar nga ana e tij për rikonstruksionin e ambasadës hungareze.
Z. Basha e siguroi ambasadorin se përtej historisë së shkëlqyer qindravjeçare që kanë vendet tona, do të vazhdojë bashkëpunimi në të gjitha fushat me Hungarinë. /albeu.com/
Shtuar më 11/08/2014, ora 12:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori