Është nga Shqipëria, por Greqinë e konsideron mëmëdhe, historia e aktorit që vjen nga familje emigrantësh

Shumë familje shqiptare morën rrugët e emigrimit në vitet ’90 për tu siguruar fëmijëve të tyre një të ardhme më të mirë e më të sigurt.

Një pjesë e madhe e shqiptarëve u dyndën drejt Italisë e Greqisë, ndërsa pjesa tjetër drejt Amerikës dhe vendeve të tjera të Europës. E tillë është historia e Daniel Nurkës, 27-vjeçarit shqiptar që u rrit në Greqi.

Tashmë Danieli është bërë figurë e njohur në vendin fqinj, pasi është bërë aktor. Danieli është pjesë e kastit të aktorëve të telenovelës “Krushq nga Tirana” që transmetohet në MEGA TV.

Në një intervistë për emisionin e mëngjesit në EPT, Danieli ka folur për jetën e tij në Greqi, ndërsa ka rrëfyer historinë se si familja e tij ka ardhur nga Shqipëria në Greqi, shkruan albeu.com. Aktori tregoi se ka ardhur në Greqi në moshë të vogël dhe se së fundmi është pajisur me nënshtetësi greke, teksa e konsideron Greqinë “mëmëdhe”.

“Babai im erdhi në Greqi në vitin 1997. Një vit pasi linda unë. Ai erdhi i vetëm për të bërë dokumentet dhe për të zgjidhur gjithçka. Pastaj erdhëm unë, motra dhe nëna ime. Unë kam nënshtetësi greke, kam shkuar në ushtri, i kam shërbyer mëmëdheut dhe kam votuar këtu. Unë jam nga Shqipëria, por jam rritur dhe edukuar këtu, pse mos të shpreh mendimin tim për çështje sociale të shoqërisë greke? ”, tha Danieli.

Danieli vuri në dukje problemin e burokrascisë në Greqi, duke iu referuar procedurave të komplikuara që një emigrant të pajiset me nështetësi greke.

“Në Greqi ka një burokraci të veçantë. Domethënë kam një shok me origjinë shqiptare, i cili ka lindur këtu, është rritur këtu dhe ka shkuar në shkollë këtu. Ka qenë vetëm tre herë në Shqipëri dhe ende nuk ka marrë nënshtetësinë greke”, tha aktori shqiptar./albeu.com/