Plas lufta civile në Rusi, Wagner pushton qytetin e rëndësishëm

Themeluesi i kompanisë mercenare ruse Wagner, Yevgeny Prigozhin, deklaroi sot se ai hyri në Rusi me trupat e tij për të përmbysur hierarkinë ushtarake, duke deklaruar se ishte “gati të vdiste” me 25,000 burrat e tij për të “çliruar popullin rus”.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë tha se kishte hapur një hetim ndaj Prigozhin, i cili u rebelua pasi akuzoi ushtrinë e rregullt ruse për granatimin e një baze të njerëzve të tij, duke vrarë shumë prej tyre.

Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë në Moskë dhe rajone të ndryshme të vendit.

“Ne vazhdojmë, do të arrijmë në fund”, tha Prigozhin në një mesazh audio në platformën Telegram.

“Ne do të shkatërrojmë këdo që na pengon,” kërcënoi ai.


“Ne të gjithë jemi gati të vdesim, të gjithë 25,000. Dhe pastaj do të ketë 25,000 të tjerë. Sepse ne do të vdesim për atdheun, do të vdesim për popullin rus, i cili duhet të çlirohet nga ata që bombardojnë popullsinë civile”, tha ai më pas.

Ai tha se forcat e tij, të dislokuara deri më tani në Ukrainë, kaluan kufirin me Rusinë dhe hynë në qytetin e Rostovit (në jug). Ai pretendoi se luftëtarët e tij rrëzuan një helikopter ushtarak rus kur ai “hapi zjarr ndaj një kolone civile”.

Agence France-Presse thekson se nuk është në gjendje të verifikojë nëse pretendimet e tij janë të vërteta.

“Aktivitete antiterroriste”

“Në Moskë po zhvillohen aktivitete antiterroriste me qëllim forcimin e masave të sigurisë”, deklaroi kryebashkiaku i kryeqytetit rus, Sergei Sabianin.

Pamjet që qarkullojnë në faqet e rrjeteve sociale dhe mediat dixhitale, autenticiteti i të cilave ende nuk është verifikuar, tregojnë automjete ushtarake që qarkullojnë rreth kryeqytetit rus, në zonat ku ndodhet ministria e mbrojtjes dhe dhoma e ulët, Duma e Shtetit.

Guvernatori i Rostovit u bëri thirrje banorëve të “qëndrojnë në shtëpi”, ndërsa ai i Lipetsk, 420 kilometra në jug të Moskës, siguroi se po merren “masa të shtuara sigurie”.

Prokurori i Përgjithshëm rus, Igor Krasnov, ka informuar presidentin rus Vladimir Putin se ka filluar një “hetim penal për një përpjekje për të organizuar një kryengritje të armatosur” , tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Në mesazhe të përsëritura gjatë ditës së djeshme, shefi i Wagner tha se sulmet nga ushtria ruse kishin shkaktuar “një numër shumë të madh viktimash” në radhët e saj.

“Ata kryen sulme, sulme me raketa, kundër kampeve tona. Një numër shumë i madh i luftëtarëve tanë u vranë”, tha ai, duke akuzuar ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu se urdhëroi sulmet.

Këto akuza “nuk korrespondojnë me realitetin dhe janë provokime”, kundërshtoi Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë.

FSB thirri mercenarët e Wagner për të arrestuar udhëheqësin e tyre. Kjo luftë e hapur nxjerr në sipërfaqe tensionet e thella në radhët e forcave ruse të përfshira në luftën në Ukrainë./Albeu.com/


Shtuar 24.06.2023 07:47