Per policet ndoshta nuk ka para, po per qeveritaret?!
Albeu.com
Kryeministri Hashim Thaçi mund të ankohet se nuk ka mjete buxhetore për t’i rritur pagat e policëve dhe të punëtorëve shëndetësorë, por jo të njëjtën ankesë mund ta bëjë kur janë në pyetje të ardhurat e tij dhe të anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar.
Pikërisht në kohën e rritjes se pakënaqësive sociale, shefi i Qeverisë i ka dhënë leje ministrit për Ekonomi dhe Financa, Ahmet Shala, që 13 ministrave dhe zëvendësministrave, të cilët janë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, t’ua kompensojë retroaktivisht gjysmat e pagave mujore që ligjërisht u kanë takuar t’i merrnin në cilësinë e deputetëve nga janari i vitit 2008. Në bazë të këtij vendimi, shumica e ministrave-deputetë i kanë marrë përafërsisht nga 13 mijë euro.
Retroaktivi është llogaritur duke i marrë për bazë nivelet e pagave të deputetëve në dy vjetët e fundit. Niveli i pagës bazë të deputetit qysh nga viti 2008 ka ndryshuar tri herë. Fillimisht ka qenë 980 euro, pastaj është bërë 1078 euro dhe aktualisht është rritur në 1.488 euro.
Bazuar në këtë kriter, kryeministri Thaçi, dy zëvendësit e tij, Ramë Manaj e Hajredin Kuçi, dhe 10 ministra e zëvendësministra, i kanë marrë për vitin 2008 nga 5.400 euro, kurse për vitin 2009 nga 7.400 euro. Pos kompensimit retroaktiv të pagës së deputetit, shefat e Qeverisë bashkë me ministrat dhe zëvendësministrat, që kanë të drejtë vote në Kuvend, do të fillojnë të paguhen në mënyrë të rregullt me gjysmën e rrogës së deputetit, nga janari i këtij viti.
Vendimin për pagesë retroaktive të anëtarëve të Qeverisë kryeministri Thaçi e ka marrë më 4 dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo më pas e kishte pezulluar atë në mënyrë verbale. Në faqen zyrtare të Qeverisë nuk figuron as vendimi për lejimin e marrjes së 50% të pagës së deputetit, e as vendimi për shfuqizimin e tij. Zyrtarë të Qeverisë kanë njoftuar se kryeministri Thaçi e ka lënë pezull vendimin, nga droja e reagimit negativ të opinionit publik.
Gazeta shkruan se ka insistuar të vërë kontakt me zëdhënësin e Qeverisë, Memli Krasniqi, dhe me zyrtarë të tjerë të Qeverisë, por asnjëri nga ta nuk ka pranuar ta hapte telefonin. Njësoj kanë vepruar edhe zyrtarët e Ministrisë për Ekonomi dhe Financa. As zv.ministri Bedri Hamza e as zëdhënësi Muharrem Shahini nuk janë treguar të gatshëm t’u përgjigjen thirrjeve të “Kohës Ditore”. (koha)
Shtuar më 05/02/2010, ora 18:51
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori