Ofensiva e mundshme dimërore, cilat janë shanset e Ukrainës dhe Rusisë

Nga Paolo Mauri “Il Giornale

Dimri ka mbërritur tashmë, dhe në fushën e betejës në Ukrainë, balta po ia lë vendin tokës së ngrirë. Moti e acartë i javëve të ardhshme do ta ngjeshë tokën e zbutur nga shirat e vjeshtës, do të lejojë kalimin e automjeteve të rënda si tanket dhe kamionët. Në këto kushte, pritet rifillimi i aksioneve sulmuese.

Pyetja që po qarkullon endur këto ditë midis ekspertëve është se ku do të rifillojnë operacionet.
Ndërsa është e pamundur të jemi të sigurt për këtë, mund të përpiqemi të skicojmë skenarët më të mundshëm bazuar në atë që dimë:përqendrimet e trupave, aktiviteti prapa linjave të frontit, veçoritë gjeografike, aktiviteti propagandistik/keq-informues dhe vlera strategjike e objektivave.

Synimet e Ukrainës

Javët e fundit po shohim një model informimi të ndryshëm nga ai që pamë gjatë periudhës së verës. Para sulmit në Kherson, dhe veçanërisht kundërsulmit në Kharkiv, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në Kiev foli shpesh për nisjen së shpejti të një kundërsulmi të gjerë mbi qytetin që ndodhet buzë lumit strategjik Dnieper.

Ndërkohë tani po shohim përhapjen e alarmeve për një sulm të mundshëm rus në shkallë të gjerë. Kjo retorikë mund të jetë efektive për nxitjen e një përfshirjeje më të madhe të Perëndimit, duke sjellë më shumë dërgesa në armë. Por nga ana tjetër mund të nënkuptojë dëshirën për të ‘turbulluar’ ujërat, duke sugjeruar një qëndrim mbrojtës dhe jo sulmues.

Prandaj është e mundur që Kievi po mendon në fakt të nisë një sulmi të ri, në përpjekje për të ruajtur iniciativën, të nisur që nga gushti. Në mbështetje të kësaj hipoteze është edhe veprimtaria guerile, e cila nuk ka pushuar asnjëherë që nga fillimi i konfliktit, por që është përqendruar kryesisht rreth Melitopol.

Kujtojmë se kundërofensiva e shtatorit ishte e suksesshme dhe solli çlirimin e Kharkiv dhe një pjese të Donbass, edhe falë veprimeve kurajoze të kryera prapa vijës së frontit. Kundërsulmi ndaj Melitopol do të ishte një lëvizje e zgjuar:pushtimi i qytetit dhe ndoshta, i territorit që e ndan atë nga deti, do ta ndante në 2 pjesë frontin jugor, dhe do të ndërpriste linjat ruse të furnizimit me Krimenë, të cilat në këtë moment janë shumë të brishta.

Kjo sepse sulmi në urën e Ngushticës së Kerçit e ka reduktuar shumë kapacitetin logjistik të Rusisë (tashmë i komprometuar) duke e detyruar Moskën të shfrytëzojë edhe linjat detare për të ruajtur fluksin pak a shumë të vazhdueshëm të furnizimeve. Nga pikëpamja gjeografike, terreni është përgjithësisht i rrafshët, i përbërë vetëm nga fusha të mëdha të kultivuara.

Ai nuk ka barriera të mëdha si kanale, lumenj, këneta apo ndonjë mbulesë me bimësi të dendur. Mbi të gjitha, do të ishte e mundur të mbulohej avancimi me artileri raketore, të paktën për fazën e parë të madhe të përparimit drejt qytetit. Një sulm më i gjerë në Donbass – luftimet e ditëve të fundit kanë prodhuar rezultate të përziera – ka më pak të ngjarë të ndodhë.

Pasi kushtet në terren janë më të vështira, si për arsye gjeografike, ashtu edhe për shkak se zonat kontrolluara nga rusët ndodhen në fshatra dhe qytete që praktikisht janë rrafshuar me tokën. Kjo e pengon shumë përparimin e mjeteve, dhe paraqet një avantazh të madh për mbrojtësit.

Opsionet që ka në dispozicion Rusia

Në kampin rus parashikimet nuk janë më pak të vështira. Ditët e fundit kemi parë prova të lëvizjes së trupave ruse në Bjellorusi. Atje kanë mbërritur edhe avionët Aeë/C3 dhe Beriev A-50, që u përdorën për operacionet ajrore që mbështesnin avancimin nga veriu (drejt Kievit/ Chernihiv) në ditët e para të luftës.

Ka të ngjarë që Moska të përpiqet sërish të përparojë drejt kryeqytetit dhe qytetit Chernihiv, i cili është i rëndësishëm për operacionet pasi mbulon krahun lindor. Por më e mundshme është një sulm në perëndim të kryeqytetit. Një veprim në frontin verior, do të ishte akoma shumë më fitimprurës për Rusinë.

Edhe nëse nuk do të synonte direkt Kievin, sulmi do ta detyronte Ukrainën të devijonte forcat dhe rezervat për t’u përballur me kërcënimin e ri, dhe në këtë mënyre do të parandalonte një ofensivë dimërore të Ukrainës, dhe ndoshta do të dobësonte linjat ekzistuese.

Mbi të gjitha, duke sulmuar sërish nga Bjellorusia, linjat logjistike ruse do të ishin të sigurta nga kundërsulmet ukrainase, pasi do të kishte shumë pak gjasa që Kievi të kryente operacione në territorin bjellorus për të mos zgjeruar konfliktin. Nëse do të ndodhë një sulm i dytë nga veriu, ka shumë të ngjarë që ai të kryhet në perëndim të Kievit, përgjatë rrugës Korosten/Zytomyr, apo edhe përgjatë rrugës Sarny/Rivne.

Në atë rajon, terreni është më pak i favorshëm se në frontin jugor:ka pyje të dendur dhe disa zona kënetore. Duke u zhvendosur nga Kievi drejt kufirit polak, terreni përmirësohet paksa sa i përket ligatinave. Prandaj ka të ngjarë që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Ruse të vendosë të sulmojë drejt Rivnes.

Një sulm në atë rajon, do të sillte ndërprerjen e një linje të rëndësishme të komunikimit të shfrytëzuar këto muaj nga autokolonat me armët e dërguara nga Perëndimit. Kjo do të sillte prishjen e planeve ukrainase, duke e detyruar ushtrinë e saj të kalojë sërish në mbrojtje në një zonë shumë larg nga fronti aktual.

Kjo do të nënkuptonte çuarjen e përforcimeve nga sektorë të tjerë, diçka që do të kërkonte kohë, dhe do t’i bënte ato objektiva të sulmeve raketore ruse. Nga ana tjetër, ka të ngjarë që grumbullimi i trupave në Bjellorusi po ndodh vetëm për ta mbajtur ushtrinë ukrainase të mbërthyer në atë sektor, pikërisht nga frika e një sulmi, madje mund të jetë një diversion për të fshehur një veprim që do të kryhet diku tjetër.

Megjithatë, një ofensivë e re ndaj Kherson është shumë më pak e mundur të ndodhë, edhe pse fakti që qyteti është lënë kryesisht i paprekur, siç tregohet nga imazhet që janë transmetuar ditët e fundit nga media perëndimore, mund të nënkuptojë se Moska synon që ta rimarrë atë.

Kjo duke marrë parasysh rezultatin e referendumit-farsë, që e bëri rajonin “ligjërisht”pjesë të Federatës Ruse. Ripushtimi i Kherson do t’i sillte një avantazh të rëndësishëm rusëve, dhe do të pengonte aksionet e ushtrisë ukrainase në Krime, duke e konsoliduar frontin përgjatë grykës së lumit Dniepr, dhe lejuar kontrollin e gjithçkaje që lundron në atë arterie të rëndësishme lumore. Faktori kohë do të jetë vendimtar:cilado nga palët që do të arrijë të nisë një sulm e para, do ta detyrojë kundërshtarin të kalojë mbrojtje, duke ia prishur planet, ose duke e detyruar që t’i rishikojë ato në themel./albeu.com/


Shtuar 24.12.2022 14:33