Dalin pamje të reja nga vrasja e Kreshnik Çerçizajt dhe Armando Ogranajas në Athinë, policia pranë zbardhjes së ngjarjes

Detaje të reja janë zbuluar nga atentati mafioz brenda një kafeneje pak kohë më parë të dy shqiptarëve në Greqi. Mediat greke raportojnë se janë në gjurmët e autorit që kreu në mënyrë gjakftohtë atentatin mafioz ku vdiqën Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Ogranaja.

Në video-dokumentin e ri të nxjerrë në dritë nga mediat greke, fiksohen lëvizjet e autorit pak para vrasjes së dyfishtë.

Në videon e transmetuar nga mediat greke, burri i veshur me të zeza ka lëvizur nëpër rrugët e frekuentuara të zonës dhe kur ka mbërritur në kafene pasi ka ekzaminuar të dhënat në çdo detaj, ka lëvizur me shpejtësi dhe ka vrarë 44-vjeçarin dhe mikun e tij që ishte ulur në të njëjtën tavolinë.

Autori ka lëvizur mes tavolinave të jashtme të kafenesë dhe ka qëlluar 5 herë 44-vjeçarin shqiptar dhe bashkatdhetarin e tij 41-vjeçar. Të dy shqiptarët nuk ishin në gjendje t’u rezistonin plagëve të marra dhe dhanë frymën e fundit disa minuta më vonë.

Sipas raportimeve, Çercizaj kishte krijuar grupin e tij në zonën e natës ku ai u vra bashkë me Ogranajan. Viktima ka tentuar të zhvilloj grupin e tij duke marrë punë edhe në Mykonos. Megjithatë, vizionet e 44-vjeçarit nuk janë pëlqyer nga kundërshtarët e tij, të cilët mesa duket kanë vendosur t’i bëjnë atentat për të ndalur prirjet e tij ekspansioniste.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 18 dhjetor, pak para mesnatës me orën lokale greke, në një zonë mjaft të populluar të Athinës. Dy miqtë, Kreshniku dhe Armando ishin në lokal në momentin kur autori i maskuar me maskë kirurgjikale dhe kapuç të zi qëlloi me breshëri plumbash në mes të lokalit. Për pasojë Kreshnik Çerçizaj mori dy plumba në kokë dhe vdiq në vend ndërsa Armando Organaja mori një plumb në gjoks, por me të mbërritur në spital nuk mundi t’iu mbijetojë plagëve të marra.

Kanë qenë pikërisht plumbat drejtuar dy personave në fjalë ato që kanë plagosur edhe një 31-vjeçare e cila thjesht ishte kliente në lokalin e njëjtë me ta. Ajo mori një plumb në bark dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rreziku për jetën. Sipas mediave greke, ekzekutimi i dy shqiptarëve mund të ketë lidhje me vrasjen në Tiranë të Edmond Papës, biznesmenit nga Saranda i cili ishte i dënuar më parë në Greqi për trafik droge.

Pavarësisht se Edmond Papa nuk përmendet, të gjitha detajet e dhëna në artikull e lidhin ngjarjen me emrin e tij, duke bërë me dije se mes palëve mund të ketë pasur përplasje për trafikun e drogës./albeu.com/