Zëvendëskryeministri Niko
Peleshi ishte sot i pranishëm në workshop-in e organizuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në kuadër të përpilimit të një udhërrëfyesi për gjetjen e rrugëve sa më efikase për angazhimin, fuqizimin dhe bashkëpunimin me komunitetet e
shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Nën koordinimin e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit, IOM dhe institucionet
shqiptare po punojnë për hartimin e një strategjie e cila e sheh Diasporën e Re
shqiptare të pas vitit 1990 si një partner në zhvillimin e vendit dhe synon të promovojë përthitjen e potencialit të tyre njerëzor, financiar, profesional dhe kulturor në funksion të zhvillimit të vendit.
“Dërgesat financiare të emigrantëve kanë qenë padyshim një nga faktorët kryesorë që kanë zbutur varfërinë e kanë ndihmuar jo vetëm mbijetesën e familjeve
shqiptare por edhe të vetë ekonomisë
shqiptare në këto dy dekada. Ato kanë qenë një nga shtyllat mbi të cilat është mbështetur rritja ekonomike në Shqipëri që prej vitit 1991. Roli që ka luajtur emigrimi si një valvul sigurie përmes së cilës ka arritur të ulet presioni i papunësisë e vështirësive ekonomike të familjeve
shqiptare është po ashtu i vështirë të ekzagjerohet. Ndërkohë që ndikimi kulturor e emancipues i kësaj fashe të konsiderueshme të
shqiptarëve jashtë Shqipërisë tek
shqiptarët brenda Shqipërisë edhe pse vështirësisht i matshëm, është akoma më vështirësisht i mohueshëm.” u shpreh zëvendëskryeministri
Peleshi.
Duke u shprehur me tone kritike për sjelljen e shtetit
shqiptar ndaj emigrantëve Zëvendëskryeministri tha se shteti
shqiptar me ndonjë përjashtim të rrallë e krejt sporadik, nuk ka treguar gjë tjetër veç indiferencës e cinizmit ndaj kësaj pjese të popullsisë së vet.
“ka ardhur koha për një
sjellje krejt tjetër nga ajo që kemi pasur në këto vite. Një
sjellje e cila në njërën anë e koncepton shtetin si një mbështetës aktiv e serioz të çdo qytetari të tij që punon e jeton jashtë vendit, pasi, në fund të fundit, përfaqësimi i çdo qytetari
shqiptar është detyra themelore e shtetit
shqiptar. Por edhe një
sjellje që shkon përtej qasjeve emocionale e folklorike që i kemi parë e dëgjuar kaq herë në të shkuarën, dhe i sheh komunitetet
shqiptare jashtë vendit si partnerë me një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e vendit; partner që mund të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë me kapitalin e saj njerëzor, financiar, novator, kulturor apo me lidhjet e rrjetet e shkëmbimeve ekonomike e të biznesit që kanë vendosur gjatë këtyre viteve në vendet ku jetojnë e punojnë.” vijoi me te
Peleshi. /albeu.com/
Shtuar më 25/06/2014,
ora 15:26