Van Gaal tregon qëndrimin e tij sa i përket situatës: Mbylljen e sezonit e duan ata që u intereson

Të luhet në verë dhe të mbyllet kampionati apo të ndalet gjithçka dhe të mendohet që tani për sezonin 2020-2121? Debati është ndezur në të gjithë Europën dhe nxit qëndrime krejtësisht të kundërta. Trajneri i shquar holandez, Louis Van Gaal, rreshtohet mes atyre që mbështesin hipotezën e parë dhe e bën madje në mënyrë të prerë:

“Për mua është skandaloze se si përdoret shëndeti si justifikim në diskutimin nëse duhet apo jo të kthehemi në fushë për të përfunduar sezonin. Futbolli, tani për tani, nuk ka asnjë vlerë, por kur Koronavirusi të mposhtet, duhet të mbyllen garat. Sporti ekziston për të përcaktuar një fitues në fushë e jo për të thënë se pas 25 ndeshjesh ndalim gjithçka dhe shpallim Ajaxin kampion të Holandës.”

Van Gaal vijon me arsyetimin e tij se ndaljen e duan vetëm ekipet që janë në një pozicion më të keq.

“Në këtë rast, ata që nuk duan të luhet janë ata që nuk janë në një vend të mirë në renditje ose ata që janë jashtë zonës së ftohtë (të shpëtuar nga rënia). Janë klubet që abuzojnë me krizën për interesin e tyre dhe ngrejnë çështjen e shendetit publik.”


Shtuar 4.04.2020 18:58