PDU: Dënojmë çdo akt dhe deklaratë dhunënxitëse
Shpëtim Idrizi, PDU
Partia Drejtësi dhe Unitet kërkoi sot bashkimin e të gjithë qytetarëve që të dënojnë dhunën e shfaqur në demonstratën e 21 janarit. Sipas kësaj partie, duhet uniteti kombëtare dhe shmangie e acarimit të mëtejshëm të të dyja palëve politike. “Në këto çaste më shumë se kurrë nevojitet respekt dhe mbështetje për institucionet shtetërore dhe duhet që të gjitha palët t'i hapin rrugën drejtësisë, që të zhvillojë punën e saj në mënyrë të pavarur dhe të pakërcënuar”, thekson reagimi i PDU-së.

Më tej, thuhet se “çdo akt dhunë-nxitës, çdo deklaratë që acaron edhe më tej klimën e nderë në vend dëmton shtetin shqiptar, ekonominë e qytetarëve, shpresën e tyre, imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, çështjet kombëtare shqiptare dhe çdo qytetar që dëshiron që Shqipëria të eci në rrugën e mirëqenies ekonomike, integrimit evropian dhe kohezionit social”.

Partia e çamëve kërkon që të gjithë të distancohen nga dhuna fizike dhe verbale duke i lënë hapësirë institucioneve të shtetit shqiptarë për të zbardhur ngjarjen.

“PDU mbështet dhe huazon deklaratat e të gjitha përfaqësive diplomatike në Tiranë, të cilat kanë qenë të qarta në veprimet që duhet të ndërmerren pas këtij akti. PDU është e sigurt se çdo shqiptar patriot, në këto çaste dëshiron stabilitetin e vendit, shmangien e provokimeve dhe incidenteve, zbardhjen e pavarur nga ana e drejtësisë të ngjarjes dhe reflektimin e politikës mbi retorikën që ka përdorur gjatë periudhës së fundit. Demokracia, stabiliteti, zhvillimi dhe përparimi kanë nevojë për ndjenjën e patriotizmit, që ne jemi të sigurt se është në zemrat e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë”, përfundon deklarata.
Shtuar më 24/01/2011, ora 13:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori