PDSH mbështetet në PDK-në, BDI në AAK-në
Albeu.com
Partitë politike shqiptare në Maqedoni kanë filluar haptazi ta përdorin bashkëpunimin dhe mbështetjen e partive politike të Kosovës dhe Shqipërisë si atu për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka bashkëpunim të hapur me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Kjo u dëshmua edhe me pjesëmarrjen e nënkryetarit të PDK-së Fatmir Limaj, në inaugurimin solemn të hyrjes së Bardhyl Mahmutit në radhët e PDSH-së.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së Hashim Thaçi vitin e kaluar pat hyrë në konflikt të hapur verbal me udhëheqësinë e BDI-së pasi në Shkup haptazi pat akuzuar se lufta e vitit 2001 në Maqedoni është bërë vetëm për të ndryshuar partitë në pushtet. Deklarata e Thaçit ishte gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, gjë që shtyri kryetarin e BDI-së Ahmeti të përgjigjet se Hashim Thaçi së bashku me Arbër Xhaferin mundohen ta rrënojnë rejtingun e BDI-së.
Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) partner më të afërt politik në Kosovë e ka Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të Ramush Haradinajt.
Bashkëpunimi aktual politik zanafillën e ka në ndihmën e madhe të bashkëluftëtarëve të Haradinajt për Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në luftën e vitit 2001.
BDI-në e mbështetë edhe Emrush Xhemajli, kryetar i Lëvizjes për Pavarësinë e Kosovës. Xhemajli është figurë margjinale në politikën kosovare, mirëpo ka ndikim të madh në Maqedoni. Ai është familjar dhe bashkëveprimtar i kamotshëm i kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti.
Udhëheqësia e Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) theks të veçantë në bashkëpunimin me partitë shqiptare vendosë në bashkëpunimin me Partinë Demokratike (PD) të Sali Berishës. Të gëzuar nga rikthimi i Berishës në pushtet, udhëheqësia e PPD-së pas zgjedhjeve në Shqipëri e theu bon-tonin politik dhe ia uroi fitoren PD-së para shpalljes zyrtare të rezultateve zgjedhore.
Zëdhënësja e BDI-së Ermira Mehmeti thotë se bashkëpunimi që e bëjnë me partitë shqiptare jashtë Maqedonisë nuk e keqpërdorin në fushatë parazgjedhore. “Zgjedhjet parlamentare i trajtojmë si zgjedhje të brendshme. Prandaj nuk shohim ndonjë nevojë që fushata parazgjedhore, ose procesi zgjedhor të jetë i lidhur apo i varur nga ndonjë bashkëpunim special me partitë politike në Kosovë apo Shqipëri”, tha Mehmeti. Sipas saj partitë politike në Kosovë dhe në Shqipëri “vazhdimisht kemi pasur bashkëpunim të mirë, pavarësisht se për cilën parti politike bëhet fjalë atje”.
Një pjesë të shpresave për sukses zgjedhor në partitë politike në Kosovë i mbështesin edhe partitë më të vogla shqiptare në Maqedoni.
Partia Demokratike Kombëtare (PDK) bashkëpunimin e vet në Kosovë e zhvillojnë përmes lidhjeve dhe njoftësive që gjatë luftës së Kosovës i ka realizuar deputeti i saj Xhezair Shaqiri.
Situatë e njëjtë është edhe me Forcat e Reja Demokratike (FRD). Kryetari i kësaj partie Hysni Shaqiri lidhje në Kosovë dhe Shqipëri ka krijuar edhe gjatë 15 viteve si deputet, por edhe gjatë kohës kur ishte në radhët e UÇK-së.
Ndërkaq politologu Nazmi Maliqi vlerëson se bashkëpunimi me partitë në Shqipëri dhe Kosovë është i nevojshëm, porse “nuk pinë ujë” më tepër në elektorat.
“Bashkëpunimi është i arsyeshëm për shkëmbim të përvojave e cila do të shërbente që zgjedhjet që janë këtë vit të jenë legjitime dhe subjekti politik shqiptarë të luajë rol konstruktiv dhe të mos mbetemi pikë e zezë”, thotë Maliqi.
nga ISEN SALIU, Lajm
Shtuar më 26/03/2006, ora 15:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori