PDSH injoron Cërvenkovskin, kërkon ndërkombëtarët
Albeu.com
Sekretari i përgjithshëm i PDSH-se Imer Aliu, pas mbledhjes së kryesisë qendrore të kësaj partie tha se PDSH-ja nuk do të marrë pjesë në takimin e të së hënës për arsye të deklaratave të fundit të presidentit Branko Cërvenkovski, se në bisedimet rreth dialogut politik duhet të anashkalohet faktori ndërkombëtarë.Partia Demokratike Shqiptare nuk do të marrë pjesë në takimin e së hënës, mes përfaqësuesve të partive politike dhe presidentit Branko Crvenkovskit, ku palët do të mundohen të gjejnë gjuhë të përbashkët rreth kompletimit të Këshillit Gjyqësor. Vendimi i kryesisë së Partisë Demokratike Shqiptare vjen pas mbledhjes së kësaj partie, e cila të shtunën u mbajt në Tetovë. Sekretari i përgjithshëm i PDSH-së Imer Aliu, pas mbledhjes së kryesisë qendrore tha se PDSH nuk do të marrë pjesë për arsye të deklaratave të fundit të presidentit Branko Cërvenkovski se në bisedimet rreth dialogut politik duhet të anashkalohet faktori ndërkombëtar. Sipas tyre nëse dikush meriton të përjashtohet nga bisedimet është vet Cërvenkovski, i cili dihet se me çfarë metodash ka ardhur në këtë post. "Nëse ka ndonjë që duhet përjashtuar nga ky proces atëherë padyshim se ai është vet Cërvenkovski, pasi që është i vetmi president, i cili në këtë post ka ardhur me anë të votave të vjedhura të shqiptarëve", tha Imer Aliu. Për PDSH-në gjithashtu është e palogjikshme të merret pjesë në këto takime pas refuzimeve të shumta të Ali Ahmetit për dialog me liderin e saj Menduh Thaçi. Sipas Aliut edhe përkundër refuzimeve të Ali Ahmetit kjo parti gjithmonë do të jetë e gatshme për dialog të mirëfilltë me të gjitha partitë politike e sidomos me ato shqiptare, me qëllim të afrimit sa më të shpejtë të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.
Ndërkohë, kryeministri Nikolla Gruevski duke e komentuar mospjesëmarrjen e PDSH-së në takimin e të hënës tha se është vendim partiak. "Ai është vendim i PDSH-së, le ta implementojnë, çdo kush duhet të mbajë përgjegjësi për hapat e veta", ka thënë shkurt Gruevski.
Ndërkaq, në takimi e të hënës përveç LSDM-së dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, do të marrin pjesë përfaqësues nga kabineti i Cërvenkovskit, respektivisht shefja e kabinetit Natasha Savova.
Partia shqiptare në opozitë do të përfaqësohet në nivel nënkryetari, ndërsa njëri ndër to Rafiz Haliti konfirmon prezencën. Kjo parti edhe më tej kërkon që kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësorë, të cilët do ti propozojë Parlamenti duhet të propozohen me konsensus të plotë.
Përderisa partitë politike nuk merren vesh për zgjedhjen e anëtarëve të organit më të lartë gjyqësorë, ky institucion gati 8 muaj po punon në përbërje jo të plotë. Nga numri përgjithshëm prej 15 gjykatësve për momentin janë zgjedhur vetëm 10 prej tyre edhe atë nga radhët e vet gjykatësve ndërsa 5 të tjerët, të cilët i zgjedh Parlamenti dy herë me radhë nuk kanë kaluar për shkak se shumica parlamentare nuk ka arritur të sigurojë shumicën e Badenterit.
B.Murati&U.HASIPI, Koha
Shtuar më 31/07/2007, ora 10:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori