PDSH filloi fushatën me “Jungjatjeta”
Albeu.com
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) sonte në Gostivar me moton "Jungjatjeta PDSH" prezantoi kandidatët për deputetë dhe programin e saj politik për zgjedhjet e 1 qershorit.Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi bëri të ditur marrëveshjen e arritur me tre parti tjera shqiptare, të cilat në zgjedhjet e 1 qershorit do të dalin në koalicion me Partinë Demokratike Shqiptare.
“PDSH-ja sot përfundimisht arriti marrëveshje për të bashkëvepruar dhe për të pasur aleancë me partitë Alternativa Kombëtare të Harun Aliut, me partinë Bashkimi Demokratik Kombëtar të Hisni Shaqirit dhe me Partinë për Prosperitet Demokratik të Abdulhadi Vejselit. Unë sot ju siguroj se fitorja e PDSH-së është e pashmangshme”, deklaroi kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në fjalimin e tij potencoi se si participientë në Qeveri kanë qenë nismëtar kryesor për realizimin e projekteve për të cilët kanë pasur më shumë interes shqiptarët.
“Ky është momenti i realizimit të platformës së shqiptarëve e cila filloi nga themeluesi i PDSH-së, Arbër Xhaferi. Kjo është një fazë historike për shqiptarët në Maqedoni.Sllogani jonë sqaron gjithçka dhe për këtë PDSH i vazhdon jetën shqiptarëve si në arsim ashtu edhe në fushat e tjera sepse kur ne jemi në pushtet shqiptarëve në Manastir u zgjatet jeta, kur ne jemi në pushtet USHT-ja nuk ka vetëm 3 faklutete, por 13 fakuktete, dhe 93 drejtime. Kur ne jemi në pushtet shqiptarët formojnë qendër klinike univerzitare. Kur ne jemi në pushtet pa ndërprerë ndëgjohet fjala shqip”, deklaroi Thaçi.
Ai u bëri thirrje krerëve të shtetit që urgjentisht të gjejnë një zgjidhje për problemin rreth emrit të Maqedonisë me Greqinë. Ai tha se për shqiptarët nuk pranojnë alternative tjetër përveç anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Europian.
“Ardhmëria e Maqedonisë ka vetëm një alternativë, ajo alternativë është NATO dhe Unioni Europian. Do të duhet patjetër Maqedonia t’i bëj kompromiset me fqinjët e vet se përndryshe shqiptarët nuk shohin ardhmëri tjetër përveç NATO-s”, theksoi Thaçi.
Në fund të fjalimit të tij, Thaçi apeloi deri tek anëtarët dhe simpatizantët e partisë së tyre që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e provokimeve nga ana e partive të tjera gjatë kohës së fushatës. Në konventë me fjalimet e tyre janë paraqitur edhe bartësit e listave zgjedhore të PDSH-së, Imer Selmani në njësinë 1, Abedin Zymberi në njësinë 2, Muharrem Imeri në njësinë e 3 dhe Arbër Xhaferi në njësinë 5.
Bartësi i listës në zonën 1, nënkryetari Imer Selmani deklaroi se PDSH për 20 muaj bëri fushatë me projekte konkrete në arsim shkencë, kulturë, shëndetësi, ndërtimin e sigurisë.
“Ne me 1 qershor bindshëm do të fitojmë, me 2 qershor do të vazhdojmë fushatën e realizimit edhe më të fuqishëm të projekteve kombëtare dhe qytetare në Maqedoni”, deklaroi Selmani. Abedin Zimberi bartës i listës zgjedhore në njësinë 2 deklaroi se PDSH është parti që ka një platformë të lartë dhe transparente për të gjitha kërkesat e shqiptarëve.
Ish-kryetari i PDSH-së, Arbër Xhaferi si bartës i njësisë zgjedhore 5 deklaroi se me PDSH-në çështja shqiptare nga dita në ditë është duke u realizuar. (Kasam Selimi/INA)
Shtuar më 12/05/2008, ora 05:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori