PDSH akuzon Bejtën se ka shtënë me armë
Albeu.com
Partia Demokratike Shqiptare në konferencën e sotme për shtyp prezantoi një video në të cilën shihet kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta duke shtënë me armë por nuk saktësoi kohën se kur është xhiruar videoja. Zëdhënësi i Shtabit zgjedhor i PDSH-së Fexhri Selami tha se Bejta bashkë me bashkëpunëtorët e tij tenton ta frikësojë popullatën.

"Kryetari i shtabit zgjedhor, përndryshe i ashtuquajtur edhe kryetar i Komunës së Gostivarit, pozon me armë në dorë. Shokante trishtuese dhe më tepër degraduese se si një bashkëpunëtor i ngushtë i Ali Ahmetit, nxjer armën, kris dhe në anën tjetër vajtojnë te ndërkombëtarët për gjoja terrorin që e përjetojnë. Përreth këtij Nevzat Bejtës janë drejtori i ndërmarrjes publike ‘Gostivar’ Refet Jakupi vëllai i Saubi Jakupit, Zudi Reçani inspektor në DBK, ish - drejtori i Spitalit të Gostivarit Jakup Jakupi dhe kandidati për deputet Nexhati Jakupi", akuzoi zëdhënësi i Shtabit zgjedhor të PDSH-së Fexhri Selami.

Kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta mohon se ka shtënë me armë gjatë fushatës parazgjedhore pasi sipas tij bëhet fjalë për ndonjë video në të cilën shihet duke shtënë në ndonjë mal për qëllime gjuetie. Bejta tha se aktivistët e PDSH-së janë ata të cilët në vendbanimet shqiptare gjuajnë me armë.

"Për fotografitë që unë nuk i kam parë dhe janë për aktivitet parazgjedhor ato janë se unë si çdo qytetar normal nëpër fshatra, unë alltinë time e kam me leje, por kam gjuajtur atje ku nuk ka pasur asnjë njeri dhe kurrë nuk kam gjuajtur në vendbanime për t'i shqetësuar qytetarët. Opinioni duhet ta dijë se Menduh Thaçi në fshatin Leunovë ka therr një bik e ka marrë në qafë bikun dhe vetë Menduh Thaçi me bashkëpunëtorët e tij kanë gjuajtur me kallash dhe unë kam qenë karshi dhe në gjitha vendet ku shkon ai me shoqruesit e tij krisë me kallasha dhe me allti", iu kundërpërgjigj akuzës kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta.

Partia Demokratike Shqiptare për veprimet e Bejtës do t’i informojë subjektet relevante ndërkombëtare në vend si Ambasadën amerikane në Shkup, zyrën e BE-së dhe OSBE-në.
(Nevzat Mamuti, Alsat)
Shtuar më 19/05/2008, ora 05:40
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori