PDK: Partite opozitare po nguten me deklarata
Albeu.com
Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë hedhur poshtë akuzat e AAK-së se vendimi i KQZ-së për mos instalimin e kamerave është marrë nën ndikimin e PDK-së, duke thënë se KQZ është organ i pavarur dhe si i tillë i merr edhe vendimet, ku hyn edhe ai për kamerat.
Në një konferencë për media të mërkurën, zëdhënësi i PDK-së Blerand Stavileci ka thënë se kjo parti nuk i komenton çështjet që kanë të bëjnë me KQZ-në, pasi kjo nuk është në kompetencën e tyre dhe se përgjegjës për këtë janë zyrtarët e KQZ-së, si organ përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve.

"Ne, gjithashtu, kemi shprehur qëndrimin se jo vetëm kamerat, por çdo gjë që i kontribuon këtij procesi dhe është në të mirën e tij ne do të jemi në përkrahje të saj. Vullneti ynë politik ka qenë, qëndrimi ynë politik ka qenë i shprehur deklarativisht në mënyrë eksplicite shumë herë. Mirëpo, pastaj normalisht që kjo i ka takuar një institucioni, një komisioni siç është Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), i cili gjithashtu për të cilin shumë herë kemi shprehur mendimin tonë se është një komision i pavarur dhe rrjedhimisht edhe vendimmarrja që ndodh aty është një procesi pavarur", tha Stavileci.

Duke iu përgjigjur akuzave të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka cilësuar si politik vendimin e KQZ-së për kamera, nën ndikimin e PDK-së, dhe se kryesuesja e KQZ-së, Nesrin Lushta dhe minoritetet mbajnë anën e PDK-së, zëdhënësi Stavileci tha se këto deklarime janë të ngutshme dhe me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes së opinionit publik drejt disa gjërave të tjera.

"Konsiderojmë se kjo parti, partia e tretë opozitare dhe disa parti të tjera po nguten me deklaratat e tyre dhe gjithashtu edhe kur ishte çështja e ditës, datës së zgjedhjeve. Ne po e ripërsërisim qëndrimin tonë se kjo parti dhe disa parti të tjera janë munduar që në vazhdimësi ta zhvendosin vëmendjen e opinionit publik drejt disa gjërave të tjera dhe gjithashtu konsiderojnë se janë në frymën e një mënyre të tyre për ta amortizuar pezmin, mllefin, dhe zhgënjimin që i pret në zgjedhjet e ardhshme", theksoi Stavileci.

Për më tepër, Stavileci theksoi se AAK ka paragjykime hipotetike, gjë që, sipas tij, e vënë në pikëpyetje procesin zgjedhor. "Konsiderojmë që roli i partive opozitare do të duhej të ishte një rol tjetër, mirëpo në mungesë të alternativave valide, në mungesë të programeve në mungesë të opinioneve të solucioneve që janë të mirëfillta, ndoshta po zhyten të themi në një botë të kritizeromanisë", tha Stavileci. /rtv21/
Shtuar më 26/08/2009, ora 23:06
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori