PDIU: Regjistrimi, të dhënat të jenë të sakta
PDIU u shpreh sot se nisja e regjistrimit të popullsisë me parregullsi teknike rrezikon realizimin e tij sipas standardeve dhe kritereve ligjore. “Plotësimi i formularit të censusit me laps, mosparaqitja e regjistruesve në zonat e tyre dhe probleme të tjera teknike që janë pasqyruar në media rrezikojnë zhvillimin e këtij procesi”, thekson Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

“Ligji përcakton qartë se të dhënat që japin qytetarët, qoftë për pyetjet e detyrueshme dhe jo të detyrueshme duhet të jenë të sakta dhe në përputhje me të dhënat zyrtare që ka shteti shqiptar” shkruhet më tej në komunikatën për shtyp.
Sipas këtij subjekti politik, amendamentet e saj, që janë pjesë e ligjit detyrojnë INSTAT që të dhënat që do të përdoren për statistika të jenë ato në regjistrat shtetërorë dhe jo të dhënat e deklaruara në mënyrë të rreme nga disa qytetarë.

“Të gjithë rregjistruesit, qytetarët dhe pjesëmarrës të procesit që do të abuzojnë me këtë proces, jashtë frymës së ligjit dhe sidomos të amendamenteve të propozuara nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet do të hasen me pasoja ligjore. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë që të japin të dhëna të sakta, ashtu sikurse janë në regjistrat shtetërorë. Amendamentet e PDIU, që janë pjesë e ligjit, janë e vetmja garanci për objektivizimin e këtij procesi dhe ne do të jemi garant për to” ka shtuar PDIU-ja. /albeu.com/

Shtuar më 05/10/2011, ora 14:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori