PDIU për mandatin e Idrizit: KQZ sillet si trupë partiake
PDIU ka reaguar ditën e sotme ndaj deklaratës së anëtarit të KQZ-së, Bledar Skënderi, i cili është shprehur se PDIU nuk e merr mandatin në Tiranë për 0.1 %.

Sipas PDIU-së, ky është rasti kur anëtari i KQZ-së sillet si militant partie. PDIU akuzon KQZ-në se nuk i hedh të dhënat në sistem për tre kuti që pritet t’i japë mandatin Idrizit.

Deklarata e plotë:

Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi, deklaroi sot se PDIU nuk e merr mandatin në Tiranë për 0.1 përqind. Ky është rasti kur anëtari i KQZ sillet si militant partie, dhe jo si komisioner e administrator i procesit.

Ne po presim verifikimin e të gjithë procesverbaleve dhe rezultatin përfundimtar për të bërë me dije pozicionin tonë ligjor dhe në gjithë informacionet që ne kemi, ky është mandati i PDIU-së.

Anëtari i KQZ nuk ka as durimin më minimal të presë dhe rezultatet zyrtare të vetē KQZ, që ka 5 ditë që nuk i hedh të gjithë të dhënat në sistem. Kemi pritur deri tani certifikimin e të dhënave sipas procesverbaleve, proces i cili ka nisur me korrektësi, sipas Kryetarit të KQZ.

PDIU dënon deklaratet e anëtarit të KQZ që prononcohet pa dalë rezultatet e vetë KQZ. I kujtojmë që është vendosur në atë post nga një parti politike, por për të administruar vetëm sipas Kodit Zgjedhor, votat e shqiptarëve.

I bëjmë thirrje KQZ të mos sillet si trupë partiake, por si administratorë të betuar për administrimin e votave të shqiptarëve bazuar vetëm në Kodin Zgjedhor. /albeu.com/
Shtuar më 01/07/2017, ora 20:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori