PDIU: Koalicion me PD-në
Kryesia e PDIU autorizioi kryetarin e partisë Shpëtim Idrizi të nisënegociatat për koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të e kryesisë së partisë, ku u mbajt bilanci i mandatit katërvjeçar të prezencës së kësaj force politike në Kuvend si dhe nisja e përgatitjeve për zgjedhjet e 23 qershorit.

“Kryesia vendosi që të nisin përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duke pohuar vendosmërinë e rritjes së përfaqësimit parlamentar të PDIU-së në përbërjen e ardhshme të Kuvendit, çka do të kontribuojë në rritjen e zërit dhe trysnisë pozitive për çështjet kombëtare e në veçanti për çështjen çame, si edhe do të fuqizojë partinë që për katër vjet tregoi se në momentet kyçe të zhvillimeve të çështjes kombëtare, arriti të ndërhyjë me vendosmëri duke ndaluar abuzimet e duke fuqizuar pozicionin e kombit tonë”, thuhet në njoftimin e PDIU-së.

Gjatë bilancit të punës së PDIU, u vlerësua miratimi i Rezolutës për Çështjen Çame, që sipas kësaj partie “për 9 vjet rrinte e fshehur në sirtaret e Kuvendit dhe vetëm fal trysnisë pozitive të ushtruar nga deputetët e PDIU, shqiptarët e Çamërisë dhe të gjithë shqiptarët që mbështesin këtë kauzë kombëtare, mori fuqi ligjore”. /albeu.com/
Shtuar më 21/04/2013, ora 15:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori