PDI: Hyrja e çështjes çame në PE, ditë historike
Albeu.com
Hyrja për herë të parë e çështjes çame në axhendën e Bashkimit Evropian është konsideruar si një ditë historike nga pjesëtarët e këtij komuniteti. Doris Pack premtoi se do të ndihmojë për zgjidhjen e çështjes çame.

Gjatë një konference për shtyp, drejtuesit e Partisë për Drejtësi dhe Integrim janë shprehur se për herë të parë në historinë e politikës shqiptare, një delegacion i një partie shqiptare arriti të shprehë shqetësimin 62-vjeçar të popullit çam në PE. Drejtuesit e PDI-së kanë informuar se delegacioni i tyre ka qenë në mënyrë të pavarur nga delegacioni i Parlamentit shqiptar në PE. Sipas tyre, takimi me eurodeputeten Doris Pack, e cila i ka pritur dhe dëgjuar, ka qenë mjaft pozitiv. Përfaqësuesit e çështjes çame i kanë dorëzuar asaj një dosje voluminoze me problemet kryesore që ka ky komunitet, të cilët kërkojë t‘u njihet e drejta e pronës së tyre. Sipas kryetarit të PDI-së, Doris Pack ka premtuar se çështja çame do të diskutohet edhe në raundin e 13 të bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë me BE. Gjithashtu, ajo premtoi se do të komunikonte për këtë çështje edhe me eurodeputetët grekë të Parlamentit. Gjithashtu delegacioni PDI-së ka takuar edhe eurodeputetin Marco Pannella, lider historik i Partisë Radikale italiane, eurodeputetin Marco Cappato, drejtues i Partisë Radikale italiane, të cilët së bashku me anëtarët e tjerë të grupit liberal demokrat të PE-së kanë premtuar se do të shihnin mundësinë e propozimit të një rezolute parlamentare, ku të kërkohet urgjent hapja e dialogut midis Athinës e Tiranës, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të popullsisë çame dhe pranisë ndërkombëtare. Gjithashtu, delegacioni ka marrë mbështetje edhe nga europarlamentarët e Britanisë së Madhe dhe ata gjermanë, se do t‘i ndihmojnë për zgjidhjen e çështjes së tyre. Sipas drejtuesve të PDI-së, ky është një hap i parë, por i rëndësishëm në rrugën e vështirë të realizimit të amanetit të të parëve të tyre.

Shtuar më 29/10/2006, ora 16:05
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori