PD: Zvarritja e dekriminalizimit, ngre dyshime për vullnetin e mazhorancës
Shtyrjen e planifikuar për sot të mbledhjes së Komisionit për Dekriminalizimin, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi e ka denoncuar si shtyrje për motive personale të nënkryetarit të Komisionit, Taulant Balla.

"Sot kishim planifikuar mbledhjen e Komisionit për Dekriminalizimin. U detyruam ta shtyjmë për nesër me një kërkesë të z. Balla, nënkryetar i Komisionit, për arsye të tij personale. Por mesa shoh, sot z. Balla, për fat të keq ka bërë deklarime duke qenë në funksion dhe në detyrë, pavarësisht justifikimeve të tij.

Ka bërë deklarime të cilat në fakt ngrejnë edhe njëherë pikëpyetje në lidhje me vullnetin e mazhorancës për të vazhduar me hap të sigurtë në këtë proces. Nuk mund të ketë asnjë justifikim apo alibi për shtyrje. Nesër do të jetë mbledhja e Komisionit, siç është rënë dakord, dhe nesër opozita do të bëjë propozimet e saj konkrete me amendamente konkrete për procesin e dekriminalizimit.

Uroj që kjo e sotmja e z. Balla të mos jetë pjesë e taktikave të deritanishme për zvarritjen e procesit. Një gjë është e sigurtë, ne do të ecim me hap të vendosur dhe nuk mund të ketë zgjedhje të 21 Qershorit pa përmbylljen e procesit të dekriminalizimit.

Nëse z. Balla ka vullnet, duhet të na bashkohet pa asnjë hezitim. Ne jemi të gatshëm të marrim të gjithë ekspertizën por jemi të bazuar në eksperiencën më të mirë europiane dhe ndërkombëtare. E për rrjedhojë, çdo përpjekje tjetër si ajo e deri sot me bashkë me shtyrjen e sotme, nuk ka për ta ndaluar këtë proces edhe sikur e gjithë kjo të jetë shenjë e dukshme e frikës së z. Rama për të bërë dekriminalizimin.

Z. Bylykbashi, çfarë do të ndodhë nëse mazhoranca nuk miraton propozimet tuaja?

"Unë besoj se kjo nuk është aspak çështje numrash. Ata kanë bërë një marrëveshje me ne më 24 Dhjetor për dekrimininalizmin e Parlamentit dhe administratës. Nëse nuk e respektojnë është problem shumë i madh i tyre përballë shqiptarëve. Ajo që ne kemi marrë angazhim dhe jemi të vendosur si opozitë është që të ecim pa asnjë mëdyshje në këtë drejtim. Jam i sigurtë që po të kërkojnë pak brenda vetes, nuk kanë për të gjetur asnjë motiv për të kundërshtuar propozimet e opozitës". /albeu.com/
Shtuar më 25/03/2015, ora 17:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori