PD: Tre provat që "fundosin" Xhafajn, si e mbrojti vëllain e dënuar
Partia Demokratike publikon sot sërish fakte të reja lidhur me çështjen e Agron Xhafajt, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Përmes një deklarate për mediat, Deputetët Enkeled Alibeaj, Ervin Salianji dhe këshilltari Gazmend Bardhi kanë nxjerrë sot tre fakte të reja, për të dëshmuar se si Xhafaj ka ndërhyrë drejtpërdrejtë për mbrojtjen e vëllait, i dënuar me 7.2 vjet burg në Itali për trafik ndërkombëtar droge, por deri më sot nuk ka vuajtur asnjë ditë burg.

"1- Së pari, Fatmir Xhafaj nga pozicioni i Ministrit të Brendshëm ka shkelur ligjin për të ndihmuar vëllain e tij ti shpëtojë vuajtjes së dënimit duke penguar cdo veprim për ekstradimin e tij:

(i) për të verifikuar dhe identifikuar identitetin e ri të Agron Xhafajt;

(ii) për të njoftuar autoritetet italiane për vendndodhjen e tij në Shqipëri;

(iii) për arrestimin dhe burgosjen e tij.

Fatmir Xhafaj këtë e ka për detyrë ta bëjë për çdo qytetar shqiptar që ka një dënim të pa ekzekutuar.

Por për Agron Xhafajn, vëllain e tij, nuk është zbatuar.

Përkundrazi.

Policia e Shtetit nuk vepron. Policia e Shtetit është nën urdhrat dhe shërbimin e Familjes Xhafaj. Ajo është shndërruar nga Policia “Habilaj” në Policia “Xhafaj”.

2- Së dyti, Fatmir Xhafaj, nga pozicioni i tij si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, falsifikoi dokumentet zyrtare, dhe trafikoi në mënyrë të paligjshme në Kodin e Procedurës Penale një dispozitë ligjore:

(i) Për të pamundësuar ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga Gjykata Italiane e Kasacionit,

(ii) Për të pamundësuar njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që vëllai i tij Agron Xhafaj të mos bëj asnjë ditë burg as në Shqipëri nga dënimi i tij nga drejtësia italiane për trafik droge.

Fatmir Xhafa e bëri këtë në kundërshtim me Konventën Europiane të Ekstradimeve, fakt të cilin e pohoi edhe Ministri Italian i Drejtësisë, jo më larg se 6 muaj më parë.

3- Së treti, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk zbaton Ligjin Antimafia. Nga pozicioni i tij si Ministër I Brendshëm Fatmir Xhafaj pengon Ligjin Antimafia të veprojë ndaj Agron Xhafajt dhe Fatmir Xhafajt.

Policia e Shtetit nuk kandërmarrë asnjë veprim për të zbatuar masa parandaluese ndaj Agron Xhafajt dhe rrethit të tij familjar, nëpërmjet sekuestrimit të pasurive, veprimtarive ekonomike apo tregtare, sic e kërkon Ligji Antimafia.

Kjo sepse aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, që ka kryer vëllai i Ministrit të Brendshëm, automatikisht e bën subjekt të ligjit, vetë Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Shqipëria është i vetmi vend në botë ku Ministri i Brendshëm, përgjegjës për zbatimin e Ligjit Antimafia, është vetë subjekt i Ligjit Antimafia.

Të tre këto prova tregojnë qartë sesi Fatmir Xhafaj është drejtpërdrejt i përfshirë nga pozicioni i Ministrit të Brendshëm dhe më parë i Kryetarit të Komisionit të Ligjeve për të mbrojtur të vëllain e dënuar për trafik ndërkombëtar droge”, deklaron Bardhi.

Kujtojmë se ditën e djeshme prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për vëllain e Fatmir Xhafajt në kuadër të ligjit anti-mafia.

Gjithashtu, PD pretendon se vetë Fatmir Xhafaj është subjekt i këtij ligji, për shkak se vëllai i tij është i dënuar për trafik droge. /albeu.com/

Shtuar më 13/05/2018, ora 12:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori