PD: Të akuzuarit për përdhunim e falsifikim në Doganë e Tatime
Zëdhënësja e PD i është rikthyer denoncimeve në lidhje me emërimet në administratë të personave me të shkuar kriminale apo me precedentë penalë.

"Çfarë mund të ndodhë me një të denoncuar për përdhunim, të shpallur në kërkim nga policia në prill të vitit 2010?

Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, një person i tillë bëhet doganier.
Kjo ka ndodhur me Elton Bashollin në Korçë. Nëse bëni një kërkim në arkivë do t’iu dalin dhjetra lajme për këtë ngjarje të rëndë, ku një e re nga ky qytet e ka denoncuar pas dhunimit seksual, dhe ndaj tij ka filluar procedimi.

Sot është doganier i Edi Ramës dhe Ilir Metës, gjë që e tregon edhe ai vetë në Facebookun e tij. Po me një të arrestuar në Korçë, në korrik të vitit 2011, për falsifikim pasaportash, për paisje me këtë dokument të personave që kishin probleme me drejtësinë në vendet e BE-së, çfarë mund të ndodhë?

Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, ai bëhet specialist i IT-së, në Drejtorinë e Tatimeve të Korçës. Relis Mulla u arrestua dhe ndaj tij nisi procesi hetimor në korrik të vitit 2011, pasi kishte prodhuar dhjetra pasaporta përmes falsifikimit të të dhënave, për persona me precedentë në Europë. Në atë kohë, Mullai punonte pranë kompanisë Aleat që prodhonte pasaportat.

Arkiva është e pasur me lajme për këtë ngjarje të rëndë. Sot, falsifikatori i pasaportave është specialist i IT, në zyrën e Tatimeve, pikërisht aty ku janë të dhënat konfidenciale të qytetarëve dhe bizneseve.

Ky është modeli që kanë instaluar në administratën publike dhe në postet kyçe Edi Rama dhe Ilir Meta. Përdhunues e falsifikatorë në punët më të kërkuara. Aty ku i shërbejnë partisë. Inkriminimi është skandaloz dhe tronditës. Eshtë e qartë se banditët, keqbërësit, llumi i punëve të zeza, janë kërkuar, kanë bërë kontratë me Edi Ramën dhe Ilir Metën. Dhe janë sot nëpër poste ku zhvasin e dhunojnë qytetarët e vendit. Ndaj Edi Rama dhe Ilir Meta nuk e duan dekriminalizimin, ndaj i bëjnë rezistencë, e pengojnë atë.

Po këto raste, dhe qindra të tjera që Partia Demokratike ka denoncuar janë arsyeja madhore pse dekriminalizimi duhet bërë, pse vendi dhe qytetarët duhet të çlirohen një orë e më parë nga këta banditë të veshur me kollaro e pushtet nga Edi Rama e Ilir Meta", përfundon reagimi. /albeu.com/








Shtuar më 08/04/2015, ora 11:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori