PD: Tahiri gënjeu nën betim
Partia Demokratike akuzoi sot ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri se ka gënjyer nën betim në lidhje me treguesit e kriminalitetit në vend.

“Në 5 orë deponime përpara Komisionit Hetimor, u paraqit individi i konferencave për shtyp të podiumit rilindas, që akuzonte oficerët e policisë për “korrupsion”, “lidhje me krimin”, “obezitet” dhe “paaftësi”, por i ndodhur në opozitë nuk kishte ç’u bënte. i njëjti individ, tashmë në rolin e ministrit që “di dhe ditëlindjet e secilit prej policëve”, pranoi se asnjë prej personave të akuzuar nuk është “liruar”, “përjashtuar” apo “proceduar penalisht” për shkaqet e sipërpërmendura, çka do të thotë se çdo akuzë që pati ngritur ka qenë një broçkull, dhe po broçkull ka mbetur”, tha Genti Strazimiri në një konferencë për mediat.

Sipas deputetit të PD-së, i vetmi kontribut i ministrit, i dhënë aksidentalisht në Komisionin Hetimor, ishte që nëpërmjet pranimit të sms-së së famshme, ka pranuar se në krahasim me vitin 2013, treguesit e krimit janë rritur.


“Me dëshminë e tij aksidentalisht të sinqertë, ministri Tahiri konfirmoi shqetësimin mbarëpopullor dhe shqetësimin e opozitës për rritjen e krimit dhe të pasigurisë së qytetarëve. Veç kësaj, duke gënjyer nën betim përpara Komisionit Hetimor të Kuvendit, Ministri i Brendshëm është bërë përsëri përgjegjës penalisht në bazë të Kodit Penal, neni 306 për “Dëshmi të rreme”, duke rënduar më tej pozitën e tij për “Moskallëzim krimi” në lidhje me vrasjet e disa personave të afërt me të, të cilën e kemi bërë të ditur më parë”, tha deputeti demokrat. /albeu.com/

Shtuar më 12/04/2014, ora 17:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori