PD shënjestron Ramën: I dha koncesionin e hekurudhës djalit të Leskajt
Paraditen e sotme, PD ka hedhur akuza mbi kryeministrin Rama për dhënien e konçesioneve pa tender dhe pa garë. Deputetja demokrate Liliana Elmazi, në një prononcim për mediat tha se konçesioni i hekurudhës i është dhënë djalit të nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskajt.

"Edi Rama ka vendosur t’i japë mikut dhe donatorit të tij, djalit të Valentina Leskajt, një ekskluzivitet qeveritar, për 25 vite.
Hekurudhën Ballsh-Fier-Vlorë.

Çdo mall që do transportohet për 25 vite, çdo pasagjer që do udhëtojë për 25 vite në këtë linjë, do paguajë paratë tek biznesmeni Arian Leskaj, mik i vjetër i Bashkisë së Edi Ramës, djali i nënkryetares së Kuvendit.

Ky koncesion është bërë pa transparencë, pa garë, pa asnjë njoftim. Kemi të bëjmë me një biznes miliona eurosh në vit, duke ditur se në hekurudhën Leskaj, do të transportohet nafta që prodhohet në Ballsh, e cila shkon në Vlorë për t’u tregtuar më pas në Europë.

Me filozofinë pa tender, me fitues të paracaktuar, që janë gjithnjë miqtë e Edi Ramës, po jepen çdo ditë ekskluzivitete për dekada të tëra. Çdo ditë, pas çdo tenderi, pas çdo koncesioni, pas çdo pasurie kombëtare po shfaqet një mik i Edi Ramës, që ndan fitimet me të.

Edi Rama është sot kryeministri më i korruptuar në Ballkan, dhe sipas raportit të punës së OSBE, pasuria e tij llogaritet mbi 200 milionë euro. Pasuri e cila po rritet çdo ditë, pasi fondet shperndahen nga Edi Rama, i cili cakton xhepat se ku duhet të shkojnë paratë e shqiptarëve, duke i ndarë ato me miqtë dhe ndërtuesit e tij personal", tha ajo. /albeu.com/

Shtuar më 26/10/2015, ora 11:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori