PD: Rinasi çerdhe korrupsioni
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka përmes një deklarate për mediat ka hedhur akuza për kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, të cilët i fajëson për mosreagimin ndaj aktit kriminal që tronditi aeroportin më të madh të vendit pak ditë më parë.

Paloka e quan Rinasin një çerdhe korrupsioni, sipas tij, avokati i kryeministrit, Eno Bushi është aksioner i kompanisë së sigurisë së aeroportit. Gjithashtu, Paloka tha se makina e grabitësve kaloi pranë një patrulle policie dhe kjo e fundit nuk reagoi.

Ai e cilësoi cenim të rëndë të sigurisë kombëtare grabitjen brenda në pistën e aeroportit. Siguria Kombëtare është kërcënuar më rëndë se asnjëherë tjetër pas vitit 1997 sepse praktikisht është “pushtuar Aeroporti”, një infrastrukturë e rëndësisë strategjike, e Shqipërisë dhe e NATO-s.

Ky sulm me armatim të rëndë ka ndodhur pas sulmit terrorist ne Aeroportin e Stambollit, pra në një koheëkur niveli i kërcënimit dhe “gatishmërisë së strukturave përgjegjëse për sigurinë në aeroport sipas Ramës “ishin vendosur në shkallën më të lartë”.

E vërteta është se akte te tilla kriminale janë përsëritur frikshëm në aksin Tiranë-Vorë-Rinas, që është një nyje me rëndësi strategjike kombëtare, sepse nëpërmjet kësaj rruge lidhen të gjitha aktivitetet ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe ato të turizmit.

Praktikisht kur bien Aeroportet – çfarë garancie mund të ofrojë shteti për sigurinë e jetës, pronës dhe qytetarit të zakonshëm, e me tej stabilitetit dhe sigurisë kombëtare?​

Asnjë reagim, asnjë marrje përgjegjësie, asnjë koment nga Edi Rama, nga ky që nuk lë rast pa ndërhyrë me çdo mjet e çdo formë për çdo sebep e me çdo shkas në hapësirën publike dhe mediatike të shqiptarëve.

Kjo është heshtja e një fajtori. Fakte të reja kanë dalë në dritë që tregojnë se Rinasi me Ramën është kthyer në një çerdhe korrupsioni dhe nepotizmi, një burim i madh përfitimi financiar për bandën kryeministrore, për avokatin e tij Eno Bushin që ka 25 përqind të aksioneve të kompanisë së sigurisë, për shefin e komisariatit, i afërm i ministrit të Brendshëm që kontrollon kanalet e trafikut, dhe vazhdon të qendrojë në detyrë megjithë skandalet e shumta, e me gjithë sulmin e armatosur tre dite më parë.

Ndërkohë dokumentet zyrtare kanë shuar çdo spekullim të Ramës duke konfirmuar se policia është përgjegjëse për sigurinë e aeroportit dhe rrethimit të jashtëm, dhe grabitja ka ndodhur vetëm pak metra larg nje trupe policie që nuk u vunë kurrë në lëvizje. Rënia e Rinasit, rënia e sigurisë kombëtare është vërtetimi i rënies së çdo standardi, është dëshmi se grabitja, maskat, krimi, me Ramën e Tahirin kanë zëvendësuar rendin, ligjin, sigurinë. /albeu.com/
Shtuar më 03/07/2016, ora 11:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori