PD reagon për listat e hapura: Ta vendosë populli me referendum
Partia Demokratike ka kërkuar që të mos bëhet asnjë ndryshim nga marrëveshja e firmosur me datën 5 qershor e këshillit politik, në lidhje me Reformën Zgjedhore.

Me anë të një deklarate për mediat, selia blu thotë se ndryshimi i sistemit kërkon reformim të plotë të sistemit kushtetues, ndërkohë që ka shtuar se ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor.

Partia Demokratike kërcënon shumicën se çdo veprim i njëanshëm për ndryshimin e sistemit zgjedhor do të prishte marrëveshjen e 5 qershorit, drafti i së cilës pritet që të votohet në fund të korrikut në parlament.

“Palët në Këshillin Politik kanë firmosur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore më 5 Qershor, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e SHBA dhe BE. Partia Demokratike nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues për të cilën PD ka një propozim konkret.

Megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e kriminalizimit të parlamentit dhe të qeverisjes, në kushtet e blerjes së votës nga pushteti dhe mosndëshkimit të këtij krimi nga drejtësia. Reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit të korrikut.

Ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor. OSBE/ODIHR ka konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve.

Ndaj, hapja në këtë moment, e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakortësisë së 5 Qershorit, që është një kërkesë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe 1 nga 15 kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Çdo veprim i njëanshëm në këtë drejtim do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, me pasoja për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë” deklaron PD-ja.

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla foli në Kuvend për reformën zgjedhore, ku tha se PS është e gatshme të diskutojë ndryshimet kushtetuese.

Ai kërkoi edhe mbështetjen e opozitës parlamentare pasi mazhoranca siç ai u shpreh nuk i ka të gjitha votat. Në ndryshim nga Rama, që tha se është kundër listave të hapura, Balla tha se ai është dakord me listat e hapura.
Shtuar më 09/07/2020, ora 14:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori