Qeveria e Kosovës merr vendimin drastik, ndalohet lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve

Qeveria e Kosovës ka miratuar sonte në mbledhjen e saj virtuale pikën përmes së cilës kufizohet lëvizja e qytetarëve.

Sipas kësaj pike nga nesër qarkullimi ndalohet nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në 06:00.

Vendimet e Qeverisë

I. Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveq për nevoja mjeksore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);

II. Mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomik të klasifikuara si me të rëndësishme sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit;

III. Lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët;

IV. Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit;

V. Obligohen Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi.

VI. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.

22:14
Qeveria pritet të kufizojë lëvizjen e qytetarëve si masë mbrojtëse
Qeveria e Kosovës pritet të vendosë që nga nesër të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve, si masë për mbrojtje nga koronavirusi.

Zyrtarë të Qeverisë kanë konfirmuar për Kohën se çështja e kufizimit të lëvizjes është duke u diskutuar në mbledhjen e Qeverisë, e që po mbahet online.

Pritet të vendoset që lëvizja të kufizohet nga ora 10:00 deri në 16:00 dhe nga 20:00 deri në 6:00.

Qeveria pritet të marrë edhe disa masa tjera për ndalimin e përhapjes së Covid-19.

Deri në orët e vona të së hënës, numri i të infektuarve në vend është 35. Dje, u shënua viktima e parë si pasojë e Covid-19.


Shtuar 23.03.2020 21:42