PD: Rama po mbulon dështimin me akuza kolektive ndaj qytetarëve
Deklaratat e Kryeministrit Rama, sipas të cilit 91 % e shqiptarëve abuzojnë me energjinë elektrike, është cilësuar nga Partia Demokratike si një akuzë kolektive që bëhet me qëllim mbulimin e vjedhjeve dhe dështimeve të Qeverisë me energjinë.


Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi u shpreh se nëse i akuzon kolektivisht shqiptarët, Edi Rama nuk e përligj dot faktin se errësira dhe gjeneratorët janë shtuar qysh se ai është bërë Kryeministër.

Sipas saj, akuzat kolektive ndaj qytetarëve shqiptarë, nuk janë të reja për Edi Ramën, por nuk pritej që ato të intensifikoheshin e të bëheshin skandaloze pas marrjes së detyrës së Kryeministrit.

"Kjo është mënyra më pak serioze që Edi Rama ka gjetur për të fshehur dështimin e tij, dhe të ekipit të tij në menaxhimin e sistemit të energjisë në vend. Hajdutë dhe vjedhës nuk janë shqiptarët, por janë ata që rifutën faturat afrofe, që ulën arkëtimet e shtuan humbjet e energjisë në rrjet" u shpreh Vorpsi.

Zëdhënësja e PD u shpreh se hajdutë dhe vjedhës janë ata që mashtrojnë me premtime elektorale, janë ata që blejnë votat me 20 mijë lekë, janë ata që dështojnë në menaxhimin e energjisë, janë ata që emërojnë grupet e interesit dhe klientelën e tyre në postet kyçe të administratës. /albeu.com/
Shtuar më 15/01/2014, ora 14:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori