PD: Rama lëshoi nga zinxhirët dy banditë të PS-së
Partia Demokratike ka reaguar me një deklaratë zyrtare pasi Roshi tha se do të rikthehet si kryetar i Bashkisë Kavajë dhe pasi Arben Ndoka shkroi status ku kritikonte Bashën.

PD shprehet se Rama hodhi sonte në sulm Roshin dhe Ndokë, të dënuar në Itali njëri për përdhunim dhe tjetri për trafikim droge.

Deklarata e plotë e PD-së

Sonte në të ngrysur, Edi Rama ka lëshuar nga zinxhirët dy prej banditëve të tij të rracës, Elvis Rroshin dhe Arben Ndokën, të dy të dënuar në Itali, njëri për përdhunim, tjetri për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, dhe i ka hedhur në sulm kundër opozitës, kundër Partisë Demokratike.

Rroshi njofton se nuk e quan dorëheqjen, njofton se do kthehet në zyrën e tij, pasi u arratis për 3 ditë kur u zbulua vendimi i gjykatës italiane. Do kthehem thotë i dënuari për përdhunim, i dënuar edhe në Zvicër për drogë, edhe pse kur i plasi bomba në dorë Edi Rama e quajti të përfunduar shërbimin e tij.

Do kthehem thotë edhe Arben Ndoka, i cili kërcënon opozitën dhe thotë se ka përveshur mëngët e tij kriminale për votën e zgjedhjeve që po vijnë. E përmendi Departamenti Amerikan i Shtetit, si turp që ai ishte deputet, por njeriu që Rama i ka besuar PS-në e Lezhës, thotë se po kthehet.

Sigurisht këta janë zëri i Edi Ramës, janë grahmat e tij të fundit, klithmat e një pushteti që po jep shpirt, sepse krimi dhe Shqipëria nuk do të rrinë më bashkë.

Ta harrojë Rama se do të pengojë dekriminalizimin, se do të prekë votën, duke zgjidhur nga zinxhirët këta banditë rrace. Ai ka mbetur vetëm, fillikat, dhe rrethohet vetëm nga këta trafikantë, tutorë e vrasës. Ka gjithë popullin përballë. /albeu.com/
Shtuar më 03/06/2016, ora 21:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori